Të paktën një person raportohet të ketë vdekur në një zjarr të madh që ka shpërthyer në një kamp të refugjatëve sirianë në lindje të Libanit.
Zjarri e kaploi të gjithë kampin afër qytetit Qab Elias në Luginën Beka.
Kryqi i Kuq Libanez ka thënë për agjencinë e lajmeve AFP se rreth 700 refugjatë janë evakuuar nga kampi. Një dëshmitar ka thënë se vetëm tri nga 93 tenda në këtë kamp i kanë mbijetuar zjarrit.
Në Liban janë një milionë refugjatë të regjistruar sirianë, por besohet se numri i tyre ka shumë mundësi të jetë 1.5 milionë.
Shumë sirianë, të zhvendosur nga luftimet gjashtëvjeçare në vendin e tyre, jetojnë në kampe të improvizuara nëpër Liban.