Flora Ahmeti, zëdhënëse e Policisë së Rajonit të Prishtinës, ka pohuar për Ekonomia Online se zjarri që shpërtheu në një ndërtesë në lagjen Emshir të Prishtinës është tashmë nën kontroll. Ajo bëri me dije se deri tani, 13 persona janë trajtuar mjekësisht për shkak të këtij incidenti.
Policia e Kosovës ka filluar hetimet, por, sipas Ahmetit, është ende herët të përcaktohen shkaqet e zjarrit. Për detaje të mëtejshme, ajo ka theksuar se opinioni publik do të njoftohet me kohë.
Ndërkohë, forcat e emergjencës dhe ekipet e shërbimeve të mjekësisë po vazhdojnë të ofrojnë asistencë për ata që kanë nevojë për ndihmë. Autoritetet po monitorojnë situatën dhe do të ofrojnë informacion shtesë në orët në vazhdim.
“Sot rreth orës 18:40, kemi pranuar informatën për një incident zjarri në një ndërtesë në lagjen Emshir në Prishtinë. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë policia dhe zjarrfikësit të cilët po merren me rastin. Derisa po vazhdon evakuimi banorëve të ndërtesës, bazuar në të dhënat e deritanishme disa persona janë duke u trajtuar nga ekipet mjekësore, kryesisht probleme që janë shkaktuar nga tymi”, ka theksuar Ahmenti.