Komandanti i Zjarrfikësve në Komunën e Prishtinës, Malë Gashi, ka reaguar pas zjarrit që shpërtheu dje në një qendër tregtare në Fushë Kosovë.
Gashi tha se ekipet e zjarrfikësve u përballën me një nga zjarret më të mëdha të dekadës së fundit, duke qëndruar në terren deri pas mesnate.
Gashi shprehu mirënjohje për të gjithë zjarrfikësit, ndërsa falënderoi veçanërisht ekipet e Zjarrfikjes dhe Shpëtimit nga Lipjani dhe Drenasi, të cilat iu bashkuan operacionit për shuarjen e zjarrit.
“Shpreh respektin dhe mirënjohjen time të thellë për të gjithë kolegët, të cilët dhanë maksimumin, me përkushtim dhe guxim, deri në orët e vona të natës. Një falënderim i veçantë për ekipet e Zjarrfikjes dhe Shpëtimit nga Lipjani dhe Drenasi, të cilat iu përgjigjën thirrjes dhe na u bashkuan në përballimin e këtij zjarri. Ju lumtë, kolegë!”, shkroi Gashi në Facebook.