Një trafo e rrymës është kapluar nga zjarri gjatë ditës së djeshme në Prishtinë. Ngjarja ka ndodhur në nënstacionin 3 në afërsi të stadiumit “Fadil Vokrri”.
Nga ky zjarr, një numër i madh i konsumatorëve në kryeqytet ka mbetur pa energji elektrike. Lidhur me rastin është deklaruar zëdhënësi i KEDS-it Lulzim Krasniqi.
Krasniqi tha se po punohet në mënyrë intensive për rikthimin e energjisë elektrike për 10 mijë konsumatorë.
“Ekipet e KEDS-it po punojnë në mënyrë intensive për rikthimin e energjisë elektrike për 10 mijë konsumatorë, pra kryesisht të qendrës së qytet që kishin mbetur pa rrymë gjatë ditës së djeshme”, tha Krasniqi.
“Ka dëme shumë të mëdha. Fillimisht kishin mbetur pa energji elektrike diku rreth 22 mijë konsumatorë, por kemi arritur që të evitojmë problemin për mbi 11 mijë konsumatorë nëpërmjet zgjidhjeve alternative, tani po punojmë edhe për pjesën tjetër”, tha ai për Klankosova.
“Me të marrë informacion, ekipet e KEDS-it kanë dalur në vendin e ngjarjes. Aty kanë qenë edhe zjarrfikësit edhe njësitet e tjera relevante. Kemi punuar deri në mesnatë e puna po vazhdon ende deri në stabilizimin e furnizimit me energji elektrike”, shtoi zëdhënësi i KEDS-it.