Të paktën pesë persona kanë humbur jetën dhe 86 të tjerë rezultojnë të zhdukur pas një zjarri që përfshiu një traget në Filipine, njoftuan autoritetet e Rojës Bregdetare të vendit.
Zjarri përfshiu tragetin MV June Aster, i cili po transportonte 134 pasagjerë dhe anëtarë të ekuipazhit drejt Coronit, një destinacion i njohur turistik në Filipine.
Sipas kapitenes së Rojës Bregdetare, Noemi Cayabyab, deri tani janë shpëtuar 43 persona, ndërsa ekipet e emergjencës vazhdojnë kërkimet për personat që ende rezultojnë të zhdukur, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv.
Familjarët e pasagjerëve po presin me ankth informacione për fatin e të afërmve të tyre.
Një zyrtar që ndihmoi në transportimin e të plagosurve drejt spitalit e përshkroi ngjarjen si “vërtet tronditëse”.
Aksidentet detare janë të shpeshta në Filipine, një shtet ishullor me rreth 7,100 ishuj. Autoritetet po vijojnë operacionet e kërkim-shpëtimit, ndërsa ende nuk dihen shkaqet e zjarrit.