Zjarri përparon në Ungrej të Lezhës, flakët afrohen pranë banesave dhe varrezave

Prishtinë | 07 Sht 2026 | 19:57 | Nga Ekonomia Online

Situatë alarmante është krijuar në Ungrej të Lezhës, ku zjarri ka përparuar me shpejtësi në zonën e fshatrave Rras dhe Zimaj.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, deputeti demokrat dhe nënkryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Agron Gjekmarkaj, ka bërë thirrje për ndërhyrje urgjente të autoriteteve, pasi flakët janë afruar rrezikshëm pranë banesave, kishave dhe varrezave të komunitetit.

Në pamjet e publikuara shihet se zjarri ka përfshirë edhe një pjesë të varrezave.

“Situatë tejet e rëndë në Rras dhe Zimaj”, ka shkruar Gjekmarkaj, duke theksuar se rreziku nuk kufizohet më vetëm në zonat pyjore, por po i afrohet drejtpërdrejt zonave të banuara dhe objekteve me rëndësi për komunitetin, raporton tch, përcjell Klankosova.tv.

Ai u ka bërë thirrje institucioneve që të mobilizojnë të gjitha forcat dhe mjetet në dispozicion për të ndalur përhapjen e flakëve dhe për të mbrojtur banorët dhe pronat e tyre.

“Çdo minutë vonesë e rëndon më shumë situatën”, ka apeluar Gjekmarkaj.

Të ngjashme