Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci ka apeluar qytetarët të mos ndezin zjarre në ambiente të hapura.
Kjo pasi këto ditë në Drenas është shtuar numri i zjarrëvënieve, ku Kryetari Lladrovci po apelon tek qytetarët të mos djegin natyrën.
Në këtë kohë të pandemisë, Lladrovci ka thënë të mos ballafaqohen edhe me zjarre.
Më poshtë apeli i plotë i tij në facebook:
Apel!
Ftoj qytetarët e komunës së Drenasit, të mos ndezin zjarre në ambiente të hapura. Pyjet e komunës tonë, këtë vit janë duke u djegur përtej çdo parashikimi.
Kërkoj nga qytetarët, udhëheqësit e fshatrave, kryefamiljarët, mësuesit, arsimtarët dhe intelektualët, si dhe të gjithë personalitetet e komunës tonë me ndikim në vendbanimet e tyre, të ndikojnë për vetëdijesimin e bashkëqytetarëve tanë, për rrezikun nga zjarret.
Gjendja e pandemisë, është një fatkeqësi e cila na ka goditur, andaj nuk kemi nevojë edhe për goditjet tjera.
Falënderoj zjarrfikësit, institucionet e nivelit lokal si dhe organet e rendit për kontributin e secilit për luftimin e vatrave të zjarrit.
Zjarrin e shkaktojnë keqbërësit. Mos u bëni keqbërës. Mos ndiz zjarr në natyrë!