ZKA-ja auditon Listat e pritjes së pacientëve në institucionet shëndetësore publike

Prishtinë | 14 Mar 2024 | 15:34 | Nga Ekonomia Online

Në kuadër të sezonit auditues 2023/2024, Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), është duke kryer auditimin e performancës “Listat e pritjes së pacientëve në institucionet shëndetësore publike”, i cili do të vlerësojë zbatimin e masave për të siguruar trajtim efikas të pacientëve në listat e pritjes nga Klinikat e Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës dhe Spitalet e Përgjithshme.

“Auditimi do të vlerësojë edhe procesin e shpërndarjes së burimeve (njerëzore dhe materiale), si dhe mënyrën e regjistrimit dhe monitorimit të listave të pritjes. Lista të pritjes së pacientëve ka në disa klinika të QKUK-së dhe në disa reparte të Spitaleve të Përgjithshme”, thuhet në njpftimin zyrtar.


Procesi i auditimit do të fokusohet te pesë lista me gjithsej mbi 4600 pacientë. Auditimit do t’i nënshtrohet lista e pritjes me afër 1800 pacientë në Kliniken e Kirurgjisë Vaskulare, lista e pritjes me afër 1400 pacientë në Klinikën e Ortopedisë, lista e pritjes me 1000 pacientë në Kliniken e Oftalmologjisë, lista e pritjes me 400 pacientë në Klinikën e Kirurgjisë Torakale si dhe lista e pritjes nga gjashtë muaj deri në një vit në Klinikën e Radiologjisë.

Ndërsa në Spitalet e Përgjithshme listat e pritjes kryesisht janë në repartin e Radiologjisë
(CT, Eho, Mamografia, Rëntgeni, etj.) si dhe në repartet e Kirurgjisë së Përgjithshme.

Të ngjashme