Në kuadër të bashkëpunimit të vazhdueshëm me institucionet akademike, Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani, të enjten vizitojë Kampusin Inovativ të UBT-së, me ç’rast u prit në takim të veçantë nga rektori i UBT-së, z, Edmond Hajrizi si dhe pastaj mbajti një ligjëratë para studentëve.
Qëllimi kryesor i diskutimit ishte prezantimi i përparimit të bërjes së strategjive sektoriale dhe niveli i zbatimit të tyre i matur përmes punës audituese për të vlerësuar se si menaxhimi i rrezikut, sistemet e kontrollit të brendshëm dhe qasja koorporative po zbatohet nga ana e institucioneve publike.
Para të pranishmëve, Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani, foli për rolin dhe përgjegjësitë e Zyrës Kombëtare të Auditimit, duke shpalosur planin strategjik dhe progresin ne zbatimin e auditimeve.
Në këtë kontekst ka theksuar rëndësinë e zbatimit të rekomandimeve dhe ndikimin e tyre në fuqizimin e qeverisjes së mirë dhe llogaridhënies. Osmani ka thënë se sfidë mbetet niveli i ulët i zbatimit të rekomandimeve që nuk e kalon 40 % në nivel të përgjithshëm, përderisa në vendet evropiane shkalla e zbatimit të rekomandimeve kalon 80%.
Për të pasur sukses dhe ndikim të plotë auditimi, institucionet që auditohen duhet ta shohin ZKA-në si aleat për të përmirësuar performancën e tyre. Për të ndryshuar këtë perceptim nevojitet mbështetja e institucioneve akademike, shoqërisë civile dhe mediave.
Gjithashtu gjatë këtij debati u diskutua edhe për mungesën e strategjive institucionale në nivel vendi si dhe nevoja për një koordinim në mes të gjitha niveleve të institucioneve qeverisëse, institucioneve akademike dhe të tjera.
Ndërkohë Rektori i Kolegjit UBT, z. Edmond Hajrizi, ka vlerësuar se ZKA-ja vazhdon të jetë shembull i mirë për institucionet e tjera si në aspektin profesional, ashtu edhe në atë funksional dhe të pavarur. Hajrizi ka përgëzuar Auditorin e Përgjithshëm edhe për arritjet në nivel ndërkombëtar me anëtarësimin në dy organizatat më të rëndësishme të audtimit: INTOSAI dhe EUROSAI, duke thënë se kjo tregon për nivelin e lartë të standardeve profesionale dhe pavarësisë së institucionit. Në kuadër të këtij bashkëbisedimi studentët u interesuan që të dinë më shumë për realizimin e procesit të auditimit; për gjetjet kryesore më të rëndësishme si dhe ndikimin e tyre në nivelin e përgjithshëm të qeverisjes në vend