Në kuadër të takimeve periodike me organizatat e shoqërisë civile dhe shoqatat profesionale, Zyra Kombëtare e Auditimit ka mbajtur të enjten tryezën me temën “Fuqizimi i ndikimit të Auditimit të Jashtëm përmes bashkëpunimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit me organizatat e shoqërisë civile”, në të cilën u diskutua për arritjet në përmbushjen e planit strategjik 2018-2021, rritjen e bashkëpunimit për hartimin e planit të ri strategjik të ZKA-së, fushat me interes për t’u audituar si dhe rritjen e ndikimit të auditimit në përmirësimin e qeverisjes së mirë.
Me këtë rast Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani, tha se është tejet e rëndësishme përfshirja e hershme dhe dhënia e kontributit të organizatave të shoqërisë civile në hartimin e planit të ri strategjik të ZKA-së i cili do t’i përshtatet realitetit në Kosovës dhe kulturës së saj. Tutje Osmani ka folur për zbatimin e planit të auditimit, përkatësisht realizimin e 124 auditimeve të rregullsisë dhe të performancës dhe sfidat me të cilat po përballet ZKA-ja për zbatimin e planit. Në këtë kontekst, Auditori i Përgjithshëm ka përmendur edhe ndryshimet në metodologjinë e auditimit, ku këtë vit në raportet e auditimit do të përfshihet edhe dhënia e konkluzionit për pajtueshmëri si dhe zhvillimi i softuerit të auditimit. Osmani ka deklaruar se kërkesë e vazhdueshme e ZKA-së është ndryshimi i legjislacionit përkatës në mënyrë që auditimet të përzgjidhen duke vlerësuar shkallën e rrezikut për paranë publike.
Ndërsa Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Ilir Salihu, ka bërë prezantimin e qëllimeve të Planit Strategjik të Zyrës Kombëtare të Auditimit 2018-2021. Salihu ka treguar se ky plan ka pasur tri qëllime kryesore: Pavarësia dhe standardet profesionale; Qeverisja dhe zhvillimi i kapaciteteve institucionale; si dhe Komunikimi, ndikimi dhe integrimi. Salihu ka thënë se ZKA-ja çmon kontributin e Shoqërisë Civile në fuqizimin dhe përmirësimin e qeverisjes në vend, sepse pa mbështetjen e shoqërisë civile nuk mund të shtrihet ndikimi i auditimit në sektorin publik.
Drejtoresha e Departamentit për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Qendresë Mulaj, ka shpalosur në detaje përmbushjen e objektivave të planit strategjik të Zyrës Kombëtare të Auditimit. Mulaj ka deklaruar se Plani ka përcaktuar qëllimet strategjike dhe objektivat e qarta përmes të cilave ZKA-ja ka rritur performancën e vet në përputhje me kornizën ligjore dhe Standardet Ndërkombëtare për Institucionet Supreme të Auditimit. Mulaj ka bërë me dije se ZKA-ja ka arritur që të përmbush me sukses planin strategjik, ndonëse procesi ka qenë mjaftë sfidues.
ZKA-ja brenda këtyre viteve, përmes përditësimit dhe hartimit të dokumenteve të metodologjisë së auditimit ka siguruar cilësinë në auditim dhe ka rritur sigurinë në punën audituese. Në veçanti duhet përmendur rritjen e numrit të auditimeve sidomos të atyre të performancës dhe të ndërmarrjeve publike.
Një nga arritjet më të rëndësishme në historinë e ZKA-së është anëtarësimi në dy organizatat kryesore të auditimit: INTOSAI dhe EUROSAI.
Jo më pak të rëndësishme se kjo kanë qenë edhe zbatimi i objektivave të komunikimit me palët e jashtme dhe intensifikimit të punës me Kuvendin. Strategjia për komunikim dhe angazhim me partnerët e jashtëm është hartuar dhe është në zbatim. ZKA-ja është institucion më i njohur për publikun se sa ishte vite më parë falë edhe bashkëpunimit me organizatat e shoqërisë civile dhe prezencës në media.
Përfaqësuesit e organizatave të shoqërisë civile kanë shprehur gatishmërinë për të dhënë kontributin në draftimin e planit të ri strategjik të ZKA-së. Ata vlerësuan arritjet e ZKA-së ndër vite, duke kërkuar që të rritet numri i auditimeve të ndërmarrjeve publike, auditimeve të performancës dhe përfshirja e ekspertëve të fushave, si dhe aplikimin e qasjes së auditimeve të bazuara në rrezik.