ZKA-ja: Institucionet janë përgjegjëse për numrin në rritje të viktimave në trafik

Prishtinë | 23 Dhj 2019 | 07:45 | Nga Ekonomia Online

Ministria e Infrastrukturës ka ndërtuar rrugë të reja pa vënë në zbatim kriteret, siç janë auditimi dhe inspektimi i sigurisë.

Kjo ministri nuk ka bërë përpjekje të mjaftueshme për identifikimin dhe menaxhimin e vendeve të rrezikshme në rrugë (pikave të zeza), shkruan Koha Ditore.

Ajo nuk kishte as kontratë për mirëmbajtjen dhe sinjalizimin e tyre, që për pasojë në vitin 2017 është rritur numri i vdekjeve në trafik. Kështu thuhet në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit për sigurinë rrugore.

Në raportin e këtij institucioni është konstatuar se mungesa e mirëmbajtjes së rrugëve me sinjalistikë për gati dy vjet tregon mungesën e veprimeve dhe përpjekjeve të MI-së për të ofruar rrugë më të sigurta për pjesëmarrësit në trafikun rrugor.

Në raport tregohet se së paku në tri raste faktori rrugor është identifikuar shkaktar i aksidenteve dhe Ministria e Infrastrukturës së bashku me komunat përkatëse janë mbajtur përgjegjëse/fajtore për këtë.

Siguria në trafikun rrugor, sipas ZKA-së, mbetet ndër problemet kryesore për institucionet e vendit dhe për shoqërinë në përgjithësi.

Raporti tregon se ka rritje të numrit të viktimave nga aksidentet në trafik gjatë vitit 2017, krahasuar me vitin 2016. Derisa në vitin 2016 kishin humbur jetën 110 persona, në vitin 2017 humbën jetën 137 persona. Bazuar në këto shifra, sipas Auditorit, siguria në trafik vazhdon të jetë e ulët.

Auditimi i bërë nga ZKA-ja i nxjerr të papërgjegjshme dhe joefikase institucionet përkatëse në raport me rritjen e pasigurisë në trafik

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme