Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka realizuar auditimin e performancës “Efektiviteti i Sistemit për Mbrojtjen e të Drejtave të Konsumatorëve në Kosovë” për periudhën 2022-2024. Ky auditim ka përfshirë vlerësimin e trajtimit të ankesave, planifikimin dhe realizimin e inspektimeve, zbatimin e strategjive e programeve, ndërgjegjësimin publik dhe koordinimin ndërinstitucional.
Sipas ZKA-së, rezultatet tregojnë se, pavarësisht përpjekjeve institucionale, konsumatorët në Kosovë ende nuk gëzojnë mbrojtje reale, të drejtë dhe efektive. Institucionet përgjegjëse nuk arrijnë të garantojnë transparencë dhe përgjegjësi të plotë në këtë fushë.
Në komunikatën e ZKA-së thuhet:
“Sistemi aktual për mbrojtjen e konsumatorëve nuk është i koordinuar mirë dhe paraqet dobësi të theksuara pothuajse në secilën hallkë të tij. Procedurat për trajtimin e ankesave nuk janë të qasshme, të unifikuara dhe nuk monitorohen në mënyrë sistematike e të verifikueshme, duke pamundësuar sigurimin e një mbikëqyrjeje të besueshme dhe transparente për ecurinë dhe zgjidhjen e rasteve”.
Sipas Auditorit, inspektimet realizohen kryesisht vetëm pas ankesave individuale dhe jo mbi bazën e analizës së rrezikut. Po ashtu, strategjitë dhe planet për mbrojtjen e konsumatorëve nuk shoqërohen me veprime konkrete e të matshme, ndërsa fushatat e ndërgjegjësimit publik janë të kufizuara dhe nuk arrijnë të prekin të gjithë qytetarët. Një tjetër mangësi e theksuar është koordinimi i dobët ndërmjet institucioneve, si dhe mungesa e një sistemi të integruar për ndarjen e të dhënave dhe ndjekjen e përbashkët të rasteve.
Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka theksuar se këto mangësi në funksionimin e sistemit ndikojnë drejtpërdrejt në të drejtën e qytetarëve për produkte dhe shërbime të sigurta, informim të qartë dhe mekanizma efektivë mbrojtjeje.
Për të përmirësuar situatën, ZKA-ja ka dhënë 13 rekomandime që lidhen me rritjen e efektivitetit në trajtimin e ankesave, forcimin e inspektimeve, zgjerimin e ndërgjegjësimit publik dhe përmirësimin e koordinimit ndërinstitucional për mbrojtjen e konsumatorëve.