Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka publikuar raportin e auditimit të performancës “Fuqizimi i rolit të grave në udhëheqje dhe marrje të vendimeve”, i cili mbulon periudhën 2020–2024.
Sipas ZKA-së, rezultatet e auditimit tregojnë se institucionet publike nuk kanë arritur të sigurojnë rritje të kënaqshme të përfaqësimit të grave në pozita udhëheqëse dhe vendimmarrëse.
Ndonëse gjatë periudhës së audituar është shënuar progres në përfshirjen e grave në shërbimin civil, ku ato përbënin 42 për qind të të punësuarve, kjo nuk është reflektuar në të njëjtën masë në pozitat drejtuese. Nga gjithsej 1,459 pozita drejtuese, 988 mbaheshin nga burrat, ndërsa 471 nga gratë.
Sipas ZKA-së, këto të dhëna tregojnë se rritja e pjesëmarrjes së grave në shërbimin civil nuk është përkthyer në mënyrë të njëjtë në pozitat vendimmarrëse.
Auditimi ka konstatuar se objektivat për barazi gjinore nuk janë shndërruar mjaftueshëm në masa konkrete dhe të monitorueshme në menaxhimin e burimeve njerëzore. Masat afirmative, sipas raportit, janë trajtuar kryesisht si mundësi ligjore që mund të përdoren në raste të veçanta dhe jo si instrument aktiv për adresimin e nënpërfaqësimit të grave.
Mangësi janë evidentuar edhe në zhvillimin profesional, i cili nuk është orientuar mjaftueshëm drejt përgatitjes dhe mbështetjes së grave për avancim në karrierë.
ZKA ka gjetur probleme edhe në regjistrimin, përditësimin dhe raportimin e të dhënave sipas gjinisë, si dhe në koordinimin ndërmjet institucioneve përgjegjëse. Sipas raportit, këto mangësi kanë kufizuar analizën e përfaqësimit gjinor, monitorimin e progresit dhe planifikimin e masave për rritjen e pjesëmarrjes së grave në pozita udhëheqëse dhe vendimmarrëse.
Lidhur me këtë auditim, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka vlerësuar se rritja e pjesëmarrjes së grave në shërbimin civil duhet të reflektohet edhe në pozitat vendimmarrëse.
Spanca ka theksuar nevojën që institucionet ta shndërrojnë barazinë gjinore nga një parim i përgjithshëm në veprime konkrete, të zbatueshme dhe të monitorueshme, duke përdorur më aktivisht masat afirmative, zhvillimin profesional dhe të dhënat e ndara sipas gjinisë.
Me qëllim të përmirësimit të përfaqësimit të grave në pozita udhëheqëse dhe vendimmarrëse, Zyra Kombëtare e Auditimit ka dhënë gjashtë rekomandime për institucionet përgjegjëse.