ZKA shpalos rezultatet e tri auditimeve të performancës dhe pajtueshmërisë

Prishtinë | 01 Gus 2024 | 12:09 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka prezantuar rezultatet individuale të tri auditimeve – auditimin e performancës “Vlerësimi i Procedurave të Shitjes Direkte të Aseteve nën menaxhimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit”, për periudhën 2019-2021 dhe dy auditime të pajtueshmërisë, “Dhënia në shfrytëzim e pronave komunale dhe monitorimi i tyre në Komunën e Ferizajt” si dhe “Prokurimi dhe menaxhimi i kontratave në Ministrinë e Shëndetësisë për vitin 2023”, raporton Ekonomia Online.

Në një konferencë për media, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, derisa shpalosi rezultatet, ka thënë se auditimi ka nxjerrë në pah se gjatë përmbylljes së shitjeve direkte të aseteve, Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) nuk ishte treguar efikase pasi që trajtimi i kërkesave për blerje nuk ishte bërë në kohë optimale.

Spanca ka thënë se nga Auditimi janë evidentuar se nga 118 shitjet direkte të audituara, tek 90 prej tyre kishte ndërtime pa lejen e Ndërmarrjeve Shoqërore (NSh) përkatëse ose AKP-së.

“Auditimi ka nxjerrë në pah se gjatë përmbylljes së shitjeve direkte të aseteve, AKP-ja nuk ishte treguar efikase pasi që trajtimi i kërkesave për blerje nuk ishte bërë në kohë optimale. Dobësi kishte edhe procesi i kategorizimit të aseteve të klasifikuara për shitje direkte, është evidentuar se nuk ishte bërë parcelimi si duhet i tokave për shitje dhe në vitet e fundit kategoria e vetme të cilës i ishin shqyrtuar kërkesat për blerje ishin ekonomitë familjare (persona fizik). Auditimi ka evidentuar se nga 118 shitjet direkte të audituara, tek 90 prej tyre kishte ndërtime pa lejen e Ndërmarrjeve Shoqërore (NSh) përkatëse ose AKP-së”.

“Nga 90 mostrat e identifikuara me ndërtime pa leje, në 76 raste NSh/AKP-ja nuk kanë marrë masa për të parandaluar ndërtimet pa leje. Ndërsa në 14 raste AKP-ja ka ndërmarrë masa të ndryshme, si: padi gjyqësore, kërkesa për inspektoratin, kallëzim penal, masë të përkohshme. AKP-ja nuk kishte bërë ndonjë analizë të kostos së përfitimeve për të vlerësuar nëse rikthimi i gjendjes paraprake të aseteve në të cilat kishte ndërtime pa leje do të ishte i leverdishëm. Në 90 asetet e shitura të NSh-ve që ishin kategorizuar për shitje direkte për shkak të ndërtimeve pa leje në prona shoqërore, ishte konstatuar që rikthimi i asetit në gjendjen paraprake është i pamundur, konstatime të tilla nuk kishin arritur të mbështetën me ndonjë analizë financiare.

Tutje, Spanca paraqiti dy auditime të pajtueshmërisë: “Dhënia në shfrytëzim e pronave komunale dhe monitorimi i tyre në komunën e Ferizajt si dhe “Prokurimi dhe menaxhimi i kontratave në Ministrinë e Shëndetësisë për vitin 2023”. Për të parën, Spanca tha se komuna kishte nënshkruar marrëveshje për dhënien në shfrytëzim të pronave pa aprovim nga Kuvendi Komunal si dhe kishte shpërblyer me kontratë përfituesit që nuk i kishin përmbushur kriteret e vendosura në thirrjen publike me ankand.

“Në dy raste, komuna kishte nënshkruar marrëveshje për dhënien në shfrytëzim të pronave pa aprovim paraprak nga Kuvendi Komunal dhe pa zhvilluar procedura të konkurrimit siç kërkohet me ligjin për dhënien në shfrytëzim të pronës së paluajtshme të komunës. Bëhet fjalë për dhënien në shfrytëzim të Qendrës së trajnimeve në Greme dhe Qendrës së inovacionit. Në dy (2) raste, komuna kishte shpërblyer me kontratë përfituesit që nuk i kishin përmbushur kriteret e vendosura në thirrjen publike me ankand. Nuk kishin dorëzuar dëshminë mbi numrin aktual të punësuarve, nuk kishin bërë pagesën e qirasë për (3) tre muaj paraprakisht, si dhe nuk kishte dorëzuar polisë të sigurimit të kontratës të kërkuar me thirrje publike”.

E për sa i  përket auditimit “Prokurimi dhe menaxhimi i kontratave në Ministrinë e Shëndetësisë për vitin 2023”, Spanca ka thënë se janë fokusuar në proceset e prokurimit në vitin 2023, duke përfshirë planifikimin, procedurat e prokurimit, menaxhimin e kontratës dhe masat që janë ndërmarrë nga Ministria e Shëndetësisë, për t’u siguruar që ato kanë qenë efikase deri në arritjen e qëllimit të tyre.

“Proceset e blerjeve me prokurim kryesisht ishin të fokusuara në kategorinë Mallra dhe Shërbime si dhe në Investime Kapitale. Buxheti i vitit 2023 për MSH-në për këto dy kategori ishte rreth 61 milionë euro, përderisa ishin shpenzuar mbi 27 milionë euro apo 44 për qind. Rezultatet e auditimit kanë identifikuar mangësi nga faza e planifikimit të prokurimit e deri të monitorimi i tyre. Ndër të tjera, Ministria e Shëndetësisë nuk ka arritur që një numër të rëndësishëm të prokurimeve të planifikuara t’i kontraktoj. Proceset e prokurimit për projekte kapitale të vitit 2023 kishin filluar kryesisht me vonesa për shkak që përgatitjet e duhura nga Ministria nuk ishin kryer me kohë. Po ashtu, disa nga këto aktivitete të prokurimit ishin vonuar edhe më shumë si rezultat i ankesave në OSHP nga ana e operatorëve ekonomik.”, u shpreh Spanca në konferencë për media.

Të ngjashme