Zyra e Kryeministrit ka reaguar pas videos e cila u publikua nga komedianët e famshëm rusë “Vovan & Lexus” me kryeministrin Albin Kurti, për të cilin thanë se ky i fundit ka rënë pre e mashtrimit të tyre. Komedianët në videon e publikuar kanë shkruar se i janë prezantuar Kurtit si presidenti letonez.
ZKM arsyetohet se biseda u zhvillua më më 11 shkurt, pak pas zgjedhjeve të 9 shkurtit dhe se nuk kishin kohë për ta verifikuar.
Po ashtu, ZKM thotë se kjo bisedë tregon se “Rusia është e fiksuar pas Kosovës dhe vazhdon ta ketë cak vendin tonë”.
“Ngjarja ka ndodhur më 11 shkurt, pak pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, në një periudhë kur kryeministri Kurti po pranonte mesazhe të shumta urimi dhe thirrje për rezultatin e zgjedhjeve. Për shkak të kohës, jo gjithmonë ishte e mundur të kryheshin verifikimet e plota të çdo telefonate. Ky incident fatkeq përforcon atë që kemi e ditur prej kohësh: Rusia është e fiksuar pas Kosovës dhe vazhdon ta ketë cak vendin tonë. Gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, Sputnik Serbia dhe Russia Today (RT) publikuan mbi 60 lajme të rreme dhe artikuj dezinformues, duke ndërhyrë në procesin tonë demokratik, siç dokumentohet nga Misioni i BE-së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve”, tha ZKM.
“Teksa na vjen keq që kryeministri Albin Kurti u bë shënjestër e një thirrje të tillë, ky episod rikonfirmon qëndrimet parimore dhe konsistente të kryeministrit Kurti për çështjet kyçe, si në biseda publike ashtu edhe në ato private”.
Ndërkaq, për deklaratat për të cilat Kurti flet gjatë thirrjes me komedianët, ZKM-ja ka thënë se kjo e “riafirmon qëndrimin parimor dhe të qëndrueshëm të kryeministrit për çështje kyçe, qoftë në biseda publike apo private”.
Në video, Kurti dëgjohet teksa ankohet se ndaj tij ka pasur luftë hibride. Këtu ka thënë se lufta e tillë është bërë kryesisht nga Serbia, Rusia “por edhe elementë të tyre brenda Kosovës”. Sipas tij, lufta e parë ndaj tij është bërë përmes dezinformatave.
Pikë të dytë i ka përmendur “premtimet irracionale nga opozita, që po flirtonte me luftën hibride”.
E në pikë të tretë të “luftës hibride ndaj tij”, Kurti ka përmendur oligarkë.
Kurti ka kritikuar edhe Richard Grenellin, ish-emisarin amerikan për dialogun, Kosovë-Serbi. Sipas kryeministrit Kurti, Grenelli ka punuar katër vjet kundër tij.
“Ai ka qenë edhe instrument në rrëzimin e Qeverisë sime herën e kaluar”, ka thënë Kurti teksa ka shtuar se Grenelli ka dekoratë në Serbi. “Nuk është mirë që të marrësh një të tillë nga një shtet autoritar dhe të pretendosh se je neutral”.
Në video ai ka treguar edhe për furnizimet e ushtrisë e fabrikën e municioneve.