Është shmangur kriza e plotë diplomatike mes Turqisë dhe disa shteteve të fuqishme perëndimore, pasi ambasadat e huaja thanë të hënën se do t’i respektojnë konventat diplomatike për mosndërhyrje, duke e shmangur kërcënimin e Turqisë për dëbimin e 10 ambasadorëve.
Presidenti i Turqisë, Rexhep Erdogan, i cili në fundjavë tha se ka urdhëruar që ambasadorët të shpallen “persona non grata”, pasi e kërkuan lirimin e një filantropi të burgosur, tha në një konferencë për gazetarë se ata janë zmbrapsur dhe se do të jenë më të kujdesshëm, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.
“Qëllimi ynë kurrë nuk është që të krijojmë kriza, është që t’i mbrojmë të drejtat, ligjet, ta nderojmë sovranitetin e vendit tonë”, tha Erdogani në një fjalim të transmetuar në televizion pas një takimi të kabinetit qeveritar.
“Me një deklaratë të re të bërë nga ambasadat e njëjta sot, është bërë një hap prapa nga kjo shpifje kundër vendit dhe kombit tonë. Besoj se këta ambasadorë do të jenë më të kujdesshëm në deklaratat e tyre sa u përket të drejtave sovrane të Turqisë”, shtoi ai.
Pavarësisht tonit sfidues, komentet e presidentit turk të hënën përbënë një ndryshim të dalluar për uljen e tensioneve pas kërcënimeve që i bëri ai në fundjavë.
Dhjetë ambasadorët, përfshirë ata të Shteteve të Bashkuara dhe të Gjermanisë, para disa ditëve u bënë thirrje autoriteteve turke që ta lirojnë nga burgu Osman Kavalanë, filantrop dhe biznesmen që po mbahet në ndalim nën akuzat për financim të protestave dhe përfshirje në përpjekjen për puç. Ai i ka mohuar akuzat.
Pas mbledhjes së qeverisë turke të hënën, disa ambasada dolën me nga një deklaratë të shkurtër. Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Twitter shkroi: “Shtetet e Bashkuara theksojnë se e vazhdojnë pajtueshmërinë me Nenin 41 të Konventës së Vjenës për Raporte Diplomatike”. Ambasadat tjera publikuan mesazhe të ngjashme ose e ripublikuan postimin e ambasadës amerikane.