Nënkryetari i Prishtinës, Alban Zogaj, ka shprehur pakënaqësitë e tij për mungesën e bashkëpunimit me nivelin qendror, teksa për jetësimin e projekteve kapitale e mendojnë financimin edhe përmes partneritetit publiko-privat.
Në një intervistë për Ekonomia Online, numri dy i Prishtinës ka thënë se Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti ka bllokuar shumë projekte kapitale. Përmend bllokimet e projektit të rrugës “Agim Ramadani” dhe ndërtimin e “Unazës së Jashtme”.
Zogaj ka thënë se përpos mjete që i takon me ligj, Prishtina nuk ka marrë asnjë cent shtesë.
“Mundem të them me liri të plotë dhe siguri që kemi pasur një bashkëpunim shumë të mangët me nivelin qendror qeveritarë. Jam i dëshpëruar me të gjithë këtë marrëdhënie ose dinamikë qe e kemi pasur në mes vete është e pakuptimtë si mungon një bashkëpunim mes nivelit qendror dhe kryeqytetit. Prishtina është kryeqytet krejt institucionet qendrore punojnë në Prishtinë, këtu e zhvillojnë jetën ditën dhe aktivitet e tyre dhe nëse e shihni qasjen e nivelit qendror ndaj Prishtinës është e pa besueshme. Asnjë cent nuk iu është ndarë Prishtinës shtesë për çka i takon me ligj, atë që na takon me ligj nuk mundet me na mohuar askush edhe normalisht që e alukojnë për neve por asnjë cent shtesë nuk iu është dhënë Prishtinës. Në vend se me na ndihmuar dhe me na mbështet ne po shohim në vazhdimësi bllokada edhe barriera në procese të cilat i pengojnë projektet e kryeqytetit”, ka thënë Zogaj, teksa përmend në detaje projektet që kanë mbetur për “fajin” e Qeverisë së Albin Kurtit.
Ai ka thënë se për t’i jetësuar këto projekte kanë alternativa tjera. Përmend financimin përmes partneritetit publiko-privat.
“Rastin e fundit e kemi me nënkalimin ‘Agim Ramadani’, ne e kemi proceduar në tenderim kurse niveli qendror e bllokon me letra përmes gjykatave që mos me filluar një projekt i cili është një prej projekteve më të mëdha të Prishtinës. E kemi planin B i cili është i orientuar në sektorin privat, ne dëshirojmë të hymë në partneritet publiko-privat për me ndërtuar ‘Unazën e Jashtme’ që nënkupton që ne i japim sektorit privat asete të Prishtinës që ata me i zhvilluar një prej ideve ka qenë stacioni i autobusëve, pastaj sektori privat na ndërton neve unazën e jashtme. Edhe tek rasti i ‘Unazës së Jashtme’ është e tmerrshme qasje e qeverisë ndaj këtij projekti. ‘Unaza e Jashtme’ nuk është vetëm projekt i Prishtinës por është projekt i krejt Kosovës, sepse i lidh qytetet e Kosovës me Kryeqytetin dhe i jep një qasje shumë më të lehtë, e zhbllokon komunikacionin e liron Prishtinën në tërësi”, ka thënë Zogaj.
Kur kanë mbetur edhe një vit deri në përfundim të mandatit, nënkryetari i Prishtinës është shprehur optimist se do t’i realizojnë të gjitha premtimet. Disa ka thënë se janë në proces të nisjes së punimeve, e disa veçse kanë filluar.
“Ne jemi në vitin e tretë të mandatit, do të thotë e kemi edhe një vit të plotë para nesh për me i realizuar të gjitha premtimet. Një pjesë të madhe i kemi realizuar kurse një pjesë tjetër është në proces dhe disa projekte të mëdha kapitale të kampanjës sonë po i fillojmë edhe gjatë këtij viti. Për shembull bulevardi ‘Xhorxh Bush’ e kemi në proces prokurimi, platforma ndërlidhëse të lagjes Arbëria me Qendrën e kemi në proces të prokurimit, nënkalimin në rrugën ‘Agim Ramadani’ e kemi në proces po ashtu. Rruga A po vazhdon një projekte më të mëdha kapitale të krejt Kosovës është në vazhdim e sipër. Konsideroj që ky mandat ka qenë mjaftë i suksesshëm janë bërë shumë punë dhe shumë pritet që të fillojnë gjatë këtij viti në vazhdim”, ka deklaruar Zogaj, teksa përmend edhe tri prioritetet për këtë vit.
“Prioritet i kemi këto projekte e mëdha kapitale të cilat i përmenda. Ta fillojmë sa më shpejtë projektin për bulevardin ‘Xhorxh Bush’, të vazhdojmë me ndërtimin e rrugës ‘A’, projektin e autobusëve jemi duke e prit për të blerë të rinjtë. Mobilitetin me zhvilluar në kryeqytetet, Tregun e Gjelbër do ta fusim në proces shumë shpejtë, janë këto projekte që presin të përfundohen në këtë fund vit të mandatit tonë”, u shpreh Zogaj.