Zonja e Parë e Kosovës, Lumnije Thaçi, është duke e shoqëruar Presidentin e Republikës së Kosovës në javën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, në Nju Jork.
Zonja e Parë e Kosovës sot do të marrë pjesë në pritjen e organizuar nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, i cili pritet të mbajë një fjalë rasti në ngjarjen e organizuar me temë “Një thirrje globale për veprim përkitazi me problemin e drogës në botë”, ku do të flasë për luftën kundër narkotikëve dhe do të takohet me krerë shtetesh nga e gjithë bota.
Nesër, më 25 shtator, me ftesë të presidentes dhe themelueses së platformës globale “Fashion 4 Development”, Evie Evangelou, Zonja e Parë e Kosovës, Lumnije Thaçi, do të marrë pjesë në Drekën e Tetë Zyrtare Vjetore të Zonjave të Para.
Gjatë kësaj ngjarjeje, Zonja e Parë e Kosovës do të takohet me homologe nga shtete anekënd globit.
Platforma “Fashion 4 Development” është themeluar në janar të vitit 2011 në mbështetje të Objektivave të Mileniumit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara dhe të lëvizjes globale “Çdo grua, çdo fëmijë”, lëvizje të cilës i priu ish Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon.
Qëllimi i “Fashion 4 Development” është të promovojë ndryshime pozitive shoqërore dhe të shfrytëzojë fuqinë e industrisë së modës dhe bukurisë, duke zbatuar strategji kreative për rritje të qëndrueshme ekonomike dhe pavarësi të komuniteteve në mbarë botën, përmes shprehjes së modës.
Në ceremoninë e organizuar nga kjo platformë pritet t’u ndahen çmime grave që kanë kontribuar në fushat përkatëse.
Në mesin e të dekoruarave do të jenë Carmen Busquets, Edwina Dunn, Ellie Goulding, Amber Heard, Francine LeFrak, Stuart McCullough, Melanie Steiner.
Ndërsa, më 26 shtator, me ftesë të Zonjës së Parë të SHBA-së, Melania Trump, Zonja e Parë e Kosovës do të marrë pjesë në koktejin e organizuar nga zonja Trump, ku do të jenë të pranishme edhe gra të liderëve të shumtë botërorë.