Shkrimtari i njohur rus Aleksandr Solzhenitsyn, në fjalimin“Men Have Forgotten God” tregon se kur ishte fëmijë sa e sa herë i kishte rënë rasti të dëgjonte më të moshuarit, që kur katastrofat e goditnin vendin e tyre, ata në mënyrë të thjeshtë pohonin se “njerëzit e kanë harruar Zotin”. Prandaj edhe po ndodhin fatkeqësi të tilla. Në linjë me këtë interpretim, si dhe duke u nisur nga postulati i famshëm i Dostojevskit “se nëse nuk ekziston Zoti gjithçka lejohet”, ky nobelist mbron tezën, se tmerret e komunizmit ishin pasojë e triumfit të kësaj ideologjie pa Zot.
Prandaj a mos edhe sot shumë nga tragjeditë njerëzore që po i shkaktojnë katastrofat natyrore, sikur se rasti i fundit në Turqi, apo edhe më herët në Shqipëri, janë pasojë e faktit se njerëzit e kanë harruar Zotin? Apo më mirë të themi se nuk e kanë njohur kurrë atë si duhet. Mirëpo, për dallim nga koncepti i Zotit për cilin flasin Dostojevski dhe Solzhenitsyn, unë këtu e kam fjalën për një Zot tjetër, për Zotin spinozist.
Ky filozof mbronte një pikëpamje të çuditshme për Zotin. Kjo doktrinë ndryshe quhet edhe si panteizim. Sipas tij, Zoti nuk ekziston ashtu si e përfytyrojmë ne nga shkrimet teologjike. Ky përfytyrim është më shumë pjellë e imagjatës sonë dhe e projektimeve të qëllimeve njerëzore mbi krijesën absolute. Zoti nuk është krijesë që qëndron përtej natyrës, ai nuk sheh asgjë, as nuk pret asgjë nga ne, madje as nuk na ndëshkon ose shpërblen pas vdekjes. Prandaj, sipas tij, çdo gjë që gjendet e shkruar në këto shkrime është vetëm shprehje e supersticionit.
Megjithatë, Spinoza nuk e quajti kurrë vetën një ateist. Përkundrazi, ai mbronte pandehemën se tema kryesore e hulumtimeve të tij është Zoti. Sepse për të, Zoti ishte universi dhe ligjet e tij. Zoti është arsyeja dhe e vërteta. Madje ai shkruan, se çdo gjë që ekziston është në Zotin dhe asgjë nuk mund të konceptohet përtej tij. Kurse ky Zot mund të kuptohet në mënyra tjera, e jo ashtu si e proklamonin religjionet abrahamike. Madje, është iluzore që të shpresohet se kush do që e adhuron Zotin të pret që në të njëjtën mënyrë edhe ai ta adhuroj atë.
Për biografin e Spinozës, Steven Nadler, Zoti i Spinozës nuk është një ligjdhënës i mirë, i urtë a i drejtë, i cili i shpërblen ata të cilët i binden urdhrave të tij dhe i ndëshkon ata që devijojnë. Për Spinozan, “Zoti është Natyrë, dhe gjithçka që është, është Natyrë (fraza e tij është Deus sive Natura, ‘Zot ose Natyrë’). Çfarëdo që është ekziston në Natyrë, dhe gjithçka ndodh me domosdoshmërinë e mbivendosur nga ligjet e Natyrës. Nuk ka asgjë përtej Natyrës dhe nuk ka shmangie prej rendit të Natyrës – mrekullitë dhe e mbinatyrshmja janë pamundësi”. Në këtë kontekst, ne mund t’i afrohemi Zotit vetëm me anë të vetë-njohjes. Prandaj sipas tij, në funksion të këtij qëllimi janë shkencat, dijet filozofike, psikologjia, etj etj.
Në këtë kontekst, të mos e harrosh Zotin sipas Spinozës do të thotë t’i njohësh dhe qëndrosh konsekuent ligjeve të tij. Të ndërtosh jo sipas dëshirave për përfitim sa më shpejt, por sipas standardeve arkitektonike, dhe në përpurthje me të gjitha ligjet që e karakterizojnë këtë sferë të dijes njerëzore. Bie fjala, dy ditë pasi e kishte goditur Shqipërinë tërmeti, një i tillë me shkallë edhe më të lartë të rihterit e kishte goditur edhe Kaliforninë. Në rastin e parë dihet numri i viktimave, kurse në rastin e dytë asnjë. Prandaj, nuk kam si e shpjegoj ndryshe këtë fenomen, pos se në këtë rast ndërtimi është bërë duke i zbatuar me përpikëri sa më të madhe rregullat dhe ligjet e Zotit spinozist.
Kurse te ne, por jo vetëm te ne, ka kohë që e kemi harruar këtë Zot, për hir të zbatimit të rregullave të zotërave ndërtues biznesmenë. Mbase ka ardhur koha, që të përmbysen këto role, në mënyrë që të shmangim tragjedi të tilla në të ardhmen. Sepse përndryshe nuk na shpëton asnjë Zot tjetër nëse e harrojmë atë për të cilin kishte shkruar filozofi i njohur holandez, me origjinë hebraike, Baruch (de) Spinoza, e i cili siç dihet ishte ekskomunikuar dhe mallkuar nga bashkësia e tij, pikërisht për shkak të këtyre pikëpamjeve heretike. Po a mund të ndodhë që shpeshherë doktrina mbrohet më mirë nëpërmjet heretizimit? Kjo dilemë i tejkalon caqet e këtij shtjellimi.