Në samitin mbi klimën që po mbahet në Glasgou të Skocisë presidenti amerikan u zotua për një angazhim të ri të guximshëm nga Shtetet e Bashkuara: një reduktim prej 50 deri në 52 për qind të emetimit të gazrave karbonike deri në vitin 2030, objektiv ky që e vendos Uashingtonin në rrugën e duhur drejt reduktimit në zero të emetimit deri në vitin 2050.
“Rruga që kemi përpara është shumë e qartë. A do të reagojmë, a do të bëjmë atë që është e nevojshme, a do ta shfrytëzojmë mundësinë që kemi para vetes, apo do të shohim gjeneratat e ardhshme teksa vuajnë. Kjo është dekada që do të përcaktojë përgjigjen. Shkenca është e qartë. Kemi vetëm një dritare të vogël para vetes, e cila po ngushtohet, për të rritur ambiciet dhe përmbushur detyrimin”, thotë Presidenti Biden.
Ndër çështjet kryesore në programin e konferencës së Kombeve të Bashkuara mbi klimën janë përfundimi i rregulloreve për mekanizmat e tregut të Marrëveshjes së Parisit dhe premtimet e paplotësuara nga vendet e pasura për të ndihmuar financiarisht vendet në zhvillim në luftën ndaj sfidave që lidhen me klimën.
Lexo edhe: Arsyeja ju lë pa fjalë, mjeku në Greqi sulmohet nga pronari i lokalit dhe djali i tij
Konferenca vjen në një kohë kur bota po përballet me një seri katastrofash natyrore, si përmbytje dhe zjarre, të shkaktuara nga ndryshimet e klimës.
“Ndryshimet e shpejta klimatike po alarmojnë botën mbi domosdoshmërinë e marrjes së masave, për të adresuar humbjet dhe dëmet dhe që ngrohja globale të mbahet në 1.5 gradë Celsius. Ne e dimë se kjo konferencë është shpresa jonë e vetme për ta arritur këtë. E di se kemi një program të paprecedent për të negociuar, por besoj se do të arrihen rezultate”, thtë Alok Sharma, president i konferencës.
Samiti për klimën pason takimin e udhëheqësve të G20-ës në Romë, ku përfaqësuesit e vendeve u pajtuan që të punojnë për arritjen e neutralitetit të karbonit nga mesi i shekullit dhe u zotuan që deri në fund të vitit të ndërpresin financimin e termocentraleve me qymyr në vende tëp tjera, por ata nuk ranë dakord për eliminimin graduale të qymyrit në vendet e tyre.