ZPS për dëshmitarin e 81-të: Ka qenë anëtar i UÇK-së

Prishtinë | 27 Gus 2024 | 10:59 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë ka filluar dëshminë dëshmitari i 81-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar i cili ka kodin W04764  dhe është me masa mbrojtëse në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Pyetjet për dëshmitarin i ka filluar ZPS-ja e përfaqësuar nga prokurorja Sarah Clanton. sipas përmbledhjes se lexuar nga prokurorja, ky dëshmitar ka qenë anëtar i UÇK-së.

“Dëshmitari W04764 ka qenë anëtar i UÇK-së i cili ka qenë i pranishëm në Shqipëri dhe Kosovë gjatë vitit 1998 dhe 1999”, tha prokurorja.

Me arsyetimin e mbrojtjes se identitetit të dëshmitarit, seanca kaloi në sesion privat për marrjen e dëshmisë së tij.

Vlen të theksohet se u pranuan në prova materiale të gjitha deklaratat që dëshmitari kishte dhënë më herët për ZPS-në së bashku me materialet përcjellëse.

Kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III njoftoi se dëshmia e këtij dëshmitari pritet të zgjasë rreth një ditë e gjysmë e që prej kësaj kohe, tri orë janë ndarë për pyetjet e ZPS-së dhe shtatë orë për kundërpyetjet e mbrojtjes.

Sipas kryegjyqtarit, të gjithë të akuzuarit janë prezent në sallën e gjyqit.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit  të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /BetimipërDrejtësi

Të ngjashme