Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë ka filluar dëshminë dëshmitari i 92-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar i cili ka kodin W04590 dhe është me masa mbrojtëse në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Në seancë private, pyetjet për këtë dëshmitar i ka filluar përfaqësuesi i ZPS-së, prokurori, Cezary Mihailzcuk, ku sipas përmbledhjes se lexuar nga ai, ky dëshmitar është ndaluar në 1998-ën në një bazë të UÇK-së, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Sipas ZPS-së, në vitin 1998 dëshmitari ishte civil shqiptar i Kosovës kur ishte ndaluar në një bazë të UÇK-së ku i ishte nënshtruar keqtrajtimit”, ka thënë prokurori Mihailzcuk.
Sipas kryetarit të trupit gjykues, dëshmia e këtij dëshmitari pritet të zgjasë rreth një ditë e që nga kjo kohë, 40 minuta janë ndarë për ZPS-në, ndërsa, ekipet e mbrojtjes kanë parashtruar se i duhen rreth dy orë.
Kurse, rrjedha e seancës nuk dihet përveç asaj që u dëgjua betimi solemn i dëshmitarit.
Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /BetimipërDrejtësi