ZPS-së i kanë mbetur edhe 43 dëshmitarë për t’i thirrur që të dëshmojnë në rastin e ish-krerëve të UÇK-së

Prishtinë | 07 Nën 2024 | 17:54 | Nga Ekonomia Online

Nga lista që ka tani, Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Kosovës (ZPS) i kanë mbetur edhe 43 dëshmitarë për t’i thirrur që të dëshmojnë fizikisht në sallën e gjyqit në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Kjo është bërë e ditur nga zëdhënësi i DhSK-së, Michael Doyle i cili tha se numri i mbetur i dëshmitarëve që  pritet të dëshmojnë ka ardhur si rezultat i njoftimit të ZPS-së që nuk do të thërrasë 12 dëshmitarë të tjerë e deklaratat e tetë të tjerëve do të pranohen me shkrim, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Në të njëjtën çështje gjyqësore, më 1 nëntor, Prokuroria njoftoi Trupi Gjykues se nuk synon më të thërrasë 12 dëshmitarë nga lista e mëparshme dhe synon të paraqesë deklaratat e tetë dëshmitarëve me shkrim, në vend të dëshmisë gojore në sallë të gjyqit. Në të njëjtin parashtrim Prokuroria thekson se pas këtyre ndryshimeve, numri i dëshmitarëve që japin dëshmi në sallë të gjyqit në kuadër të paraqitjes së provave prej Prokurorisë është ulur në 43”, tha ai gjatë konferencës javore.

Ndërsa, në rast të ndryshimeve shtesë në këtë listë, ZPS-ja ka njoftuar se do ia bëjë të ditur këtë gjë gjykatës deri në pushimin e dhjetorit.

“Prokuroria tha gjithashtu se pret, që deri në pushimin e gjykatës në dhjetor, të jetë në gjendje të njoftojë Trupin Gjykues lidhur me ndryshime shtesë për listën e dëshmitarëve”, tha Doyle.

Ndryshe, ai tregoi se në të njëjtën çështje gjyqësore, dëshmitari i 103-të, Shukri Buja ka dhënë dëshmi gjatë kësaj jave.

“Dëshmitari, Shukri Buja, dha dëshmi kryesisht në seancë të hapur, megjithëse disa pjesë të seancës ishin të mbyllura”, tha Doyle.

Doyle ka njoftuar se gjykimi ndaj Sabit Januzit, Imet Bahtijarit dhe Haxhi Shalës pritet të fillojë më 14 nëntor 2024.

Sipas Michael Doyle, në seancën e parë të gjykimit do të dëgjohen deklaratat hyrëse të ZPS-së dhe dy prej ekipeve mbrojtës.

“Gjatë deklaratave hyrëse, palët do të paraqesin argumentet e tyre, përfshirë provat që synojnë t’i parashtrojnë për të mbështetur ato. Në fillim të seancës të së enjtes së ardhshme, do të lexohet aktakuza dhe Kryegjykatësja do të informojë të akuzuarit për të drejtat e tyre, do të pyesë të akuzuarit nëse i kuptojnë akuzat kundër tyre dhe do t’u japë mundësinë për të konfirmuar vetëdeklarimet e tyre fillestare të pafajësisë. Pasi të jenë lexuar akuzat në aktakuzë, Prokuroria do të ketë dy orë për të bërë deklaratën hyrëse, pasuar nga Mbrojtja e Januzit, së cilës i është caktuar një orë dhe Mbrojtja e Haxhi Shalës, së cilës i janë caktuar 30 minuta”, ka thënë Doyle gjatë konferencës javore.

Ndërsa, sipas tij mbrojtja e Bahtijarit kishte thënë se parapëlqen që të bëjë deklaratat hyrëse pasi prokuroria të përfundojë me paraqitjen e provave të saj.

“Aktakuza pretendon se midis 5 prillit 2023 dhe 12 prillit 2023, z. Januzi dhe z. Bahtijari, me udhëzim të z. Shala, u takuan secili më vete me dëshmitarin në dy raste për ta nxitur atë që të tërhiqte dëshminë, ose të mos jepte dëshmi në proceset zyrtare para DHSK-së, ndër të tjera përmes kërcënimit të rëndë dhe premtimit për dhurata ose të ndonjë forme tjetër të përfitimit. Të akuzuarit akuzohen për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe frikësim gjatë procedurës penale”, tha Doyle.

Ai tha se gjykimi mund të ndiqet në tri gjuhet zyrtare të gjykatës (shqip, anglisht dhe serbisht) në faqen e tyre të ineternetit e cila transmetohet me 45 minuta vonesë.

Gjithashtu, ai tha se gjykimi mund të ndiqet edhe nga galeria për publikun në ambientet e gjykatës.

Tutje, Doyle tha se në këtë rast, më 5 nëntor ishte hedhur poshtë një kërkesë e ZPS-së për pranimin në prova dëshmitë e dy dëshmitarëve me shkrim. Arsyeja e hedhjes së kërkesës ishte për shkak se Prokuroria kishte parashtruar kërkesën pas kalimit të afatit për parashtrim.

Ndryshe, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, çdo të enjte, në orën 14:30, përmes platformës online “Zoom” mbajnë informim javor ku ofrojnë informacione të përditësuara mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë në këtë gjykatë.

Të ngjashme