Në mbledhjen e sotme të ZRRE-së është aprovuar shtrenjtimi i rrymës prej 16.1 përqind, raporton Ekonomia Online.
Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) me pesë vota për dhe as një kundër ka miratuar tarifat e reja.
Kryesuesi i bordit në ZRrE, Ymer Zejnullahu, tha se konsumatorët shtëpiakë familjarë dhe bizneset e vogla, me qarkullim më pak se 10 milionë euro dhe më pak se 50 punëtorë janë dy kategoritë që mund të furnizohen me këto tarifa nga 1 maji deri më 31 mars 2026.
Sipas rendit të ditës, Bordi i ZRRE-së ka shqyrtuar dhe miratuar, Tarifat për Shfrytëzimin e Rrjetit të Transmetimit dhe Tregut (OST/OT) – të cilat përcaktojnë koston për transmetimin e energjisë elektrike përmes rrjetit të Operatori të Sistemit të Transmetimit dhe Tregut.
Tarifat për Shfrytëzimin e Rrjetit të Shpërndarjes (OSSH) – që lidhen me shpenzimet për shpërndarjen e energjisë nga rrjeti i operatorit të shpërndarjes deri te konsumatori fundor.
Tarifat për Furnizuesin me Shërbim Universal (FSHU) – që përfshijnë çmimet e ofruara për konsumatorët që furnizohen me energji në kuadër të shërbimit universal.