Themeluesi dhe shefi i Facebookut, Mark Zuckerberg ka dëshmuar përpara Komitetit të Shtëpisë së Bardhë për Shërbimet Financiare, ku është mbuluar me “breshëri” pyetjesh nga ligjvënësit për projektin Libra, një kriptovalutë e menduar nga rrjeti social se do të jetë valutë botërore dhe metodë për pagesa për të gjithë.
Facebook kohëve të fundit ka pasur shumë probleme me ligjin nëpër botë duke filluar nga skandali “Cambridge Analytica” ku të dhënat e përdoruesve së saj shiteshin nga kjo kompani për të ndikuar mbi zgjedhjet amerikane, duke vazhduar deri tek gjoba 122 milionë dollarëshe që kompania mori nga ligjvënësit e Bashkimit Evropian, për deklaratat e pavërteta të bëra nga zyrtarët e rrjetit social mbi blerjen WhatsApp.
I pyetur nga senatorët amerikanë për besueshmërinë në mbrojtjen e të dhënave të kësaj kriptovalute, Zuckerberg është shprehur se ai e kupton situatën e rëndë ku Facebook ndodhet për momentin dhe në qoftë se do ishte ndonjë kompani tjetër ky projekt do të ecte përpara me shpejtësi.
Zuckerberg në dëshminë e tij është shprehur se është gati të presë deri sa të marrë miratimin e të gjithë ligjvënëse duke i shteruar të gjithë pikëpyetjet e tyre mbi projektin e tij. Ai gjithashtu ka thënë se Kina nëpërmjet partneritetit publik-privat po ecën me hapa marramendës për të sjellë një kiptovalutë të tillë në treg.
I pyetur se pse partnerë mjaft të njohur botërorë si Paypal, Visa dhe MasterCard e kanë braktisur Librën, ai u përgjigj se ai beson që kjo ka ndodhur për shkak se është “projekt i rrezikshëm” që është shoqëruar me shumë pikëpyetje.