Themeluesi dhe shefi ekzekutiv i Facebookut, Mark Zuckerberg ka njoftuar se tashmë ky rrjet social ofron shërbime për më shumë se 140 milionë biznese dhe se ka 2.9 miliardë përdorues.
Sipas Zuckerberg, Facebook gjatë viteve të ardhshme është duke punuar në ofrimin e shërbimeve të reja për tregti dhe pagesat online.
“Komuniteti ynë tani ka 2.9 miliardë njerëz që përdorin shërbimet tona çdo muaj dhe më shumë se 140 milionë biznese të vogla. Ky do të jetë një vit i rëndësishëm dhe i ngjeshur me mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale (ShBA), për të cilin jemi përqendruar shumë. Gjatë viteve të ardhshme, ne jemi përqendruar në ndërtimin e një platforme sociale private, mjete të reja për tregti dhe pagesa dhe platformën për realitetin virtual”, ka njoftuar Zuckerberg, përcjell Telegrafi.
Ai tregon se përdoruesit e këtij rrjeti social për komunikim më së shumti përdorin mesazhet private.
“Nëpër shërbimet tona, rritjen më të madhe në mënyrën se si njerëzit po komunikojnë vazhdon të vijë nga mesazhe private, grupet e vogla dhe historitë [story]. Aplikacionet në Facebook dhe Instagram janë zhvilluar me shumë mënyra për të bashkëvepruar me njerëzit që ju interesojnë, aplikacionet tona të komunikimit privat janë akoma shumë thjeshta”, shkruan ai.
Kujtojmë se në muajin qershor të 2019-së, Facebook ka prezantuar kriptovalutën e vet me emrin Libra, e që sipas Zuckerbergut misioni i kësaj valuta do të jetë krijimi i një infrastrukture më të thjeshtë financiare botërore.