Zuckerberg pritet të dëshmoj përpara Senatit amerikan për kriptovalutën Libra

Prishtinë | 10 Tet 2019 | 10:43 | Nga Ekonomia Online

Shefi dhe themeluesi i Facebookut, Mark Zuckerberg pritet të dëshmojë në Dhomën e Përfaqësuesve mbi planet e rrjetit social për të lëshuar në përdorim një kriptovalutë që do të përdoret në të gjithë botën.

Në një deklaratë të Komisionit të Shërbimeve Financiare të kësaj Dhome thuhet e Zuckerberg do të jetë dëshmitari i vetëm në seancën dëgjimore mbi “kontrollin e Facebookut dhe ndikimin e tij në shërbimet financiare”, përcjell Telegrafi.

Kjo lëvizje vjen në një kohë kur kriptovaluta Libra po përballet me kritika të forta nga agjencitë rregullatore dhe ligjvënësit si në Shtetet e Bashkuara ashtu edhe në Evropë.

Në fillim të këtij viti shefi ekzekutiv i Libra Association, David Marcus, i cili po drejton përpjekjet për nxjerrjen e kriptovalutës, i doli në mbrojtje planeve për këtë qëllim gjatë seance prej më shumë se dy orësh në Komisionin Bankar të Senatit.

Ai tha se Libra nuk do të lëshohet në përdorim pa marrë më parë miratimin e institucioneve rregullatore.

Marcus dhe drejtuesit e tjerë të Facebookut pretendojnë se kriptovaluta e re mund të ndihmojë në uljen e kostove për transferimin e parave në të gjithë botën si dhe do të ndihmojë ata që nuk kanë qasje në sistemin bankar.

Javën e kaluar, PayPal njoftoi se po heq dorë nga aleanca me kompanitë dhe organizatat që e reklamojnë këtë monedhë dhe ngriti pikëpyetje mbi aftësinë e Facebookut për ta lëshuar në përdorim kriptovalutën sikurse është planifikuar.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme