Këshilltari i kryeministrit Albin Kurti, Jeton Zulfaj, ka reaguar pas deklaratës së ambasadorit të Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, i cili tha sot se emisari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, s’ka pasur sukses që ta bind Kurtin që të bëjë kompromis për CEFTA-n.
Zulfaj ka thënë se ka një zgjidhje kompromisi, por se Serbia po e kushtëzon.
Tutje Zulfaj ka thënë se Kosova është shteti më proaktiv në Procesin e Berlinit dhe se Kurti ka promovuar vazhdimisht integrimin e mëtejmë të rajonit.
“Pas tre vitesh bllokadë të Serbisë brenda CEFTA-s, kemi një zgjidhje kompromisi. Serbia tash e ka kushtëzuar këtë zgjidhje me heqjen e masave të sigurisë së Kosovës në pikat kufitare me Serbinë. Këto dy çështje nuk janë të ndërlidhura. Masat e Kosovës nuk kanë të bëjnë me tregtinë, por rrjedhin nga kërcënimet ndaj sigurisë së shtetit tonë. Ato nuk janë marrë nga Ministria e Tregtisë, por nga autoritetet tona të sigurisë”, ka shkruar Zulfaj.
Ndryshe, Rohde ka deklaruar se emisari i këtij shteti për rajonin e Ballkanit Perëndimor, Manuel Sarrazin, ka ardhur në Kosovë për ta nxitur kryeministrin Albin Kurti të bëjë kompromis për CEFTA-n.
Megjithatë, Rohde ka vlerësuar se një gjë e tillë s’ka pasur sukses, raporton gazeta online Reporteri.net.
Përmes një postimi në rrjetin social “X”, Rohde ka shkruar nëse është e nevojshme, shtetet e tjera do të vazhdojnë pa Kosovën në marrëveshjen e BE-së për lehtësimin e këmbimeve tregtare për vendet e rajonit, shkruan Reporteri.
“Manuel Sarrazin vizitoi Kosovën sërish për të nxitur Albin Kurtin që të bëjë kompromis për CEFTA-n, duke mundësuar liritë kryesore për qytetarët e Kosovës, duke zëvendësuar UNMIK-un me Kosovën në bord – pa sukses. Nëse është e nevojshme, vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor do të vazhdojnë pa Kosovën, tani për tani, për të vazhduar me bashkëpunimin rajonal dhe Procesin e Berlinit”, thuhet në postimin e Rohdes.
I dërguari i posaçëm i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, gjatë vizitës javën e kaluar në Prishtinë, ka thënë se vendet e Ballkanit Perëndimor, në veçanti Kosova dhe Serbia, duhet të jenë të gatshme për kompromise dhe koncesione jo të lehta në rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian.
Madje, Sarrazin ka thënë se pas vizitës në Kosovë, do t’i vizitojë vendet e tjera të rajonit për arritjen e rezultateve “konkrete” për njerëzit e Ballkanit Perëndimor dhe se për këtë nevojiten kompromise në prag të Procesit të Berlinit, i cili do të mbahet më 14 tetor në Gjermani.