Zëvendësavokatja e Popullit, Edona Hajrullahu, ka reaguar për vizitën e raportueses për Kosovën, Viona Von Cramon, në Gjykatën Speciale, duke e cilësuar si përpjekje për interferim në organet e drejtësisë.
Deklarata e plotë e Zv/Avokatës së Popullit:
“Standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, e përmes tyre edhe Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut, theksojnë rëndësinë e një procesi të rregullt gjyqësor. Konkretisht, neni 6 i Konventës specifikon të drejtën për një proces të rregullt, e i cili nënkupton që organet që administrojnë drejtësinë duhet të jenë të pavarura dhe të paanashme në veprimet dhe vendimmarrjen e tyre. Çdo interferim, ndikim i drejtpërdrejtë apo edhe i tërthortë, e sidomos i natyrës politike, mund të cënojë të drejtat themelore të njeriut, dhe njëherësh të dëmtojë besueshmërinë e institucioneve të thirrura për të vënë drejtësinë në vend. Mbetet e një rëndësie jetike që puna e Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar të jenë plotesisht të pavarur, dhe të garantojnë në çdo hap të drejtat themelore të çdo të dyshuari apo edhe të akuzuari, duke siguruar me patjetër parimin e prezumimit te pafajësisë si dhe të barazisë para ligjit, deri në pëmbylljen e procesit.”