Zv.Avokatja e Popullit: Në shkolla janë mbajtur më pak orë sa ishin planifikuar, pandemia ndikoi në cilësi

Prishtinë | 27 Nën 2022 | 08:52 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Zëvendës Avokatja e Popullit, Anita Çavdarbasha, në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se pjesëmarrja e nxënësve në shkollimin e detyrueshëm është e lartë dhe bazuar në standarde.

Por sipas saj, problem është se në shkolla janë mbajtur më pak orë se sa ka qenë e paraparë me plan-program.

Këto gjetje ka sqaruar ajo janë pjesë e raportit që Avokati i Popullit ka hartuar për përfshirjen në arsim, duke analizuar edhe komunitet.

Ajo shtoi se në raport është analizuar se a janë duke u respektuar dispozitat Kushtetuese dhe ligjore për të drejtat e fëmijëve në arsim.

Sipas saj, raporti është ndërtuar në tri aspekte dhe nga gjetje del se komunitetet s’kanë përfshirje adekuate në arsim.

“Ne e kemi publikuar një raport i cili e ka vlerësuar se sa po respektohen dispozitat kushtetuese dhe ligjore të drejtave të fëmijëve në arsim nga autoritetet publike. Është analizuar Kushtetuta, janë analizuar edhe disa dispozita të tjera ligjore dhe shumë dokumente strategjike. Raporti është ndërtuar në tri aspekte, pjesëmarrja e nxënësve në shkolla, gjithëpërfshirja dhe relevanca e arsimit”.

 “Sa i përket pjesëmarrjes është parë që ka pjesëmarrje mjaftë të lartë të nxënësve në shkolla, por kjo dallon nga shkollimi i detyrueshëm që është pjesëmarrja më e lartë, në shkollimin parashkollor ka më pak. Po ashtu shkollimi para fillor ka më shumë për shembull mosha 5 deri në 6 vjet për shkak se ky shkollim ofrohet në shkollë”.

“Çka është parë problem tekë pjesëmarrja është numri i orëve i mbajtur, është parë që janë mbajtur më pak orë se sa është e parashikuar dhe pastaj është parë edhe problemi tek shkollat që kanë dy ndërrime sepse për shkak të ndërrimeve i shkurtojnë edhe orët. Pastaj është analizuar këtu edhe faktorët se pse fëmijët nuk marrin pjesë në shkollë, që është braktisja e shkollës, dhuna, krimi kibernetike dhe puna e fëmijëve që e bëjnë jashtë kësaj”, tha ajo.

Tek pjesa e dytë e raportit sipas saj, janë analizuar gjithëpërfshija e komuniteteve jo shumicë dhe fëmijët me aftësi të kufizuar.

“Pjesa e dytë është gjithëpërfshirja, komunitetet janë analizuar komunitetet jo shumicë dhe fëmijët me aftësi të kufizuar. Tekë personat me aftësi të kufizuar vlen të theksohet se nuk ka statistika të sakta se sa janë fëmijë më aftësi të kufizuara, ata që nuk kanë probleme të mëdha janë në shkolla të integruara me fëmijët e tjerë, por kur janë me probleme më të mëdha janë në qendra burimore. Tek këta persona është parë që pandemia ka ndikuar shumë keq sepse nuk kanë pasur mundësi ta ndjekur shkollimin si të tjerët apo kanë pasur vështirësi ekstra të veçanta”.

“Sa i përket komuniteteve jo shumicë në disa aspekte ka ngecje sidomos me komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian. Në përgjithësi pjesëmarrja e tyre është më e lartë në shkollimin e detyrueshëm por shumë më  e vogël në shkollimin e mesëm të lartë. Komuniteti boshnjak dhe turk kanë një pjesëmarrje shumë të mirë. Për komunitetin serb nuk ka statistika te veçanta përveç në komunën e Kamenicës”.

“Sa i përket komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian të cilët qëndrojnë pak me keq sa i përket gjithëpërfshirës në arsim, janë edhe qendrat mësimore të cilat janë formuar me një udhëzim administrativ të cilët i ndihmojnë tutje atyre të i përforcojnë aftësitë e tyre në arsim dhe ka masa afirmative për komunitetet jo shumicë. Masat afirmative i’u lejojnë që të formojnë klasa më të vogla me pas më shumë mësimdhënës edhe me pas ma shumë fonde”, tha ajo.

Dhe në pjesën e tret të raportit sipas Çavdarbasha tha se është analizuar rëndësia e arsimit, ku sipas saj, në këtë pjesë është gjetur se pandemia ka ndikuar në cilësinë në arsim, raporton EO.

“Pjesa e tretë e raportit ka analizuar rëndësinë e arsimit, janë analizuar disa testime që janë bërë, jemi fokosuar në pisat, ku në vitin 2015 dhe 2018 është bërë vlerësimi i nxënësve kosovarë ku ka dal rezultati shumë i ulët dhe kjo ka qenë shqetësuese. Po ashtu çka ka ndikuar keq tekë rëndësia është edhe pandemia, në raportin e komisionit evropian është vlerësuar se 10 mijë fëmijë nuk kanë pas qasje në mësimin online, vlerësohet se 50 për qind e tyre janë nga komuniteti rom, ashkali dhe egjiptas, ky është konstatim i yni”.

Të ngjashme