Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Ramiz Kelmendi, vizitoi të mërkurën dy biznese vendore, qumështoren “Bylmeti” dhe fermën-qumështore “Eurolona” në Fushë Kosovë, ku është pritur nga pronarët me bashkëpunëtorë.
Në takime të ndara, zëvendëskryeministri Kelmendi është njoftuar nga pronarët për sfidat me të cilat ballafaqohen ata, sidomos gjatë eksportimit të produkteve të tyre në tregjet regjionale.
Si sfidë është paraqitur bllokimi i produkteve vendore në pikat kufitare, si dhe kontrolli i dyfishtë që u bëhet produkteve vendore.
Zëvendëskryeministri Ramiz Kelmendi theksoi përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për të vazhduar mbështetjen për prodhuesit vendor edhe në të ardhmen. “Qeveria është e angazhuar dhe po punon që të fuqizoj prodhuesit vendor dhe ju të jeni të barabartë me të gjithë aktorët e tjerë në Republikën e Kosovës, në mënyrë që të fuqizohet eksporti. Ekonomia e lirë e tregut nuk mund të rrezikohet, dhe kjo industri duhet të jetë minimum 90 për qind prezentë në territorin e Kosovës”, ka thënë zëvendëskryeministri Kelmendi.
Ymer Berisha, drejtor i qumështores “Bylmeti”, e njoftoi zëvendëskryeministrin Kelmendi për prezencën e produkteve në tregun e Shqipërisë tash e 10 vjet, për mundësinë e eksportit në tregun zviceran, po ashtu edhe në tregun e Maqedonisë që pritet së shpejti, ndërkaq kërkoi mbështetje për prodhuesit vendor, në mënyrë që edhe ata të jenë të barabartë me prodhuesit tjerë.
“Për të bërë një punë të mirë duhet angazhimi i të gjithëve. Ka pasur ndryshime pozitive me ndryshimin e pakos fiskale, por kërkojmë që edhe më tej të ketë lehtësira në uljen e TVSH-së për disa produkte, por edhe për heqje të akcizës në disa produkte të lëndës së parë”, ka thënë Berisha.
Milazim Berisha, drejtor i fermës Qumështore “Eurolona” pasi e uroi zëvendëskryeministrin Kelmendi për postin e ri, shprehu disa prej brengave të bizneseve me të cilat po ballafaqohen si në tregun e brendshëm po ashtu edhe në depërtimin e prodhimeve në tregun e jashtëm.
Në këtë aspekt, Berisha tha se Qeveria e Kosovës ka bërë shumë punë të rëndësishme përmes pakos fiskale të cilat kanë krijuar lehtësira në afarizmin e bizneseve të tyre.
Zëvendëskryeministri Kelmendi u premtoi prodhuesve vendor se së shpejti do të prezantoj në Qeveri një metodë të re të kreditimit që i përgjigjet ekonomisë prodhuese.
Në fund të takimeve, zëvendëskryeministri Kelmendi vizitoi repartet e prodhimit ku pa nga afër punën që bëhet në këto fabrika.