Mediat në Maqedoni të Veriut kanë raportuar se ka ndodhur “një skandal në aeroportin ndërkombëtar të Shkupit”, pasi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pasur konfrontim me sigurimin e aeroportit.
Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, e ka konfirmuar incidentin në aeroportin e Shkupit dhe konfrontimin e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani me sigurimin, pasi kësaj të fundit iu kërkua të hapë valixhet e saj dhe të tregojë se çfarë kishte në to, por ka refuzuar.
“Jemi duke u marrë me rastin në fjalë. Do ketë kumtesë për media. Ka qenë më shumë keqkuptim, gjithçka është në rregull”, tha Mexhiti për Albanian Post, duke mos dhënë detaje tjera.
Sipas një medias maqedonase “Infomax.mk”, gjithçka ka filluar kur Osmani, që po e përdorte Aeroportin e Shkupit si tranzit ka refuzuar ta hap valixhen për kontroll, kur diçka e tillë i është kërkuar nga sigurimi i aeroportit.
(Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhit)
Ata kanë kërkuar që Osmani të kalonte, pas refuzimit nga sigurimi i aeroportit, situata ka eskaluar dhe janë nxjerrur armët.
Ajo është ndalur dhe me këtë rast ka telefonuar kryetarin e parlamentit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, i cili ka dërguar në aeroport pjesëtarët e sigurimit të tij në krye me shefin Sabedin Sinani.
“Osmani nuk pranoi të zbatonte urdhrin dhe iu drejtua në mënyrë të pahijshme sigurimit të aeroportit”, shkruan media maqedonase.
AP për këtë çështje ka provuar të flas edhe me Bekim Kupinën, këshilltar për Media i Presidentes Osmani, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk është përgjigjur.