Zëvendëskryeministrja Emilia Rexhepi dhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi ishin të pranishëm në varrimin e Mirsada dhe Dion Ademaj, që vdiqën nga vërshimet në Pejë, raporton Ekonomia Online.
E hëna ishte ditë zie në Pejë. Ky vendim është marrë nga kryetari Gazmend Muhaxheri.
Qyteti i Pejës është stabilizuar pas vërshimeve të mëdha që ndodhën të shtunën, kështu deklaroi Gëzim Gashi, drejtor për Mbrojtje dhe Shpëtim në këtë komunë. Ai theksoi se do të nisin edhe me vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga reshjet e shiut.
“Gjendja është stabile. Niveli i ujit është i përballueshëm. Të reshurat janë ndalur. Ne e kemi formuar një komision prej 12 anëtarëve. Do t’i formojmë edhe disa komisione të tjera në mënyrë që ta përfundojmë vlerësimin sa më shpejtë dhe t’i drejtohemi ministrisë, në mënyrë që t’i dalin në ndihmë qytetarëve. Ende nuk e dimë vlerën e saktë të dëmeve”.