Ornela Çuçi, zv.ministre e Turizmit dhe Mjedisit duke iu përgjigjur kërkesës së Unionit Turistik Shqiptar për të zbutur kufizimet anti-COVID thotë se kjo është një çështje që i takon Komitetit Teknik të Ekspertëve.
Znj. Çuçi theksoi se Ministria e Turizmit ka bërë kërkesë për lehtësimin e masave dhe pritet që Komiteti Teknik të mblidhet së shpejti për lehtësimin e masave sa i takon orës policore dhe lejimit të muzikës pas orës 23:00.
“Kërkesa e Unionit ka të bëjë me dy çështje, orën policore sepse ardhja e avionëve është pas orës 23:00 edhe pse ka lehtësime dhe për çështjen e lejimit të muzikës. Specifikojmë se vazhdojmë të jemi në kushtet e pandemisë dhe çdo vendim i marrë dhe i propozuar nga Ministria e Shëndetësisë apo Ministria e Turizmit vazhdon të jetë përgjegjësi e Komitetit të Ekspertëve. Komiteti i Ekspertëve do të rishikojë këtë kërkesë nga Ministria e Turizmit për të parë se çfarë mund të bëhet me ndryshimin e këtyre orareve”, tha znj. Çuçi.
Zv.ministrja e Turizmit gjatë intervistës për Euronews Albania u shpreh se agjencitë turistike kanë si shqetësim kryesor garantimin e shëndetit për udhëtarët dhe Shqipëria është e favorizuar nga numri i ulët i infektimeve. Gjithashtu një tjetër pikë të favorshme për Shqipërinë, znj. Çuçi përmendi qëndrueshmërinë e protokollit të masave gjatë sezonit duke mos krijuar konfuzion.
Por, pavarësisht kësaj zv.ministrja e Turizmit tha se vihet re një rënie e numrit të turistëve nga vendet skandinave për shkak të frikës së qytetarëve për të udhëtuar. Ajo përmendi edhe një faktor negativ masat që vendet e huaja kanë si karantinimi i detyrueshëm që frenon udhëtimet.
Ornela Çuçi u pyet gjatë intervistës edhe për një shqetësim që kanë ngritur shumë pushues ku në plazhe private nuk u lejohet të mbajnë termus. Zv.ministrja e Turizmit tha se “qeveria nuk mund të merret” me të tilla masa por shtoi se bizneset duhet të tregohen të kujdesshme në sjelljen ndaj pushuesve se kjo mund të paralizojë biznesin e tyre.
“Ne nuk jetojmë në një ekonomi të planifikuar, jetojmë në një ekonomi tregu, ku secili nga resortet, secili nga hotelet, restoranteve ka planin e tyre të masave si të jenë më afër klientëve të tyre dhe të marrin sa më shumë review (vlersim) të mira në mënyrë që turistët të rikthehen. Secili prej tyre do të duhet të mendojë shumë më tepër se çfarë do të duhet t’u ofrojë në mënyrë që të rikthehen. Nëse nuk do të marrin review pozitive ne të gjithë bashkë do të vuajmë pasojat e kësaj sjellje të turizmit”, përfundoi znj. Çuçi.