Zvarritet zgjedhja e sekretarit të ministrisë së Infrastrukturës.
Qe disa javë është finalizuar lista e ngushtë për Sekretarë të Përgjithshëm në ministrinë e Infrastrukturës. Por, komisioni përzgjedhës është duke e neglizhuar punën.
Konkursi për Sekretar të Përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës ka qenë i hapur nga data 7 dhjetor 2018 deri më 21 dhjetor.
Komisioni i angazhuar për këtë rekrutim ka arritur që të përzgjedh për listën e ngushtë katër persona.
Lajmi.net ka mësuar se i favorizuar për këtë pozitë është Betim Reçica, i cili është emëruar kundërligjshëm Ushtrues Detyre i Sekretarit të Përgjithshëm në MI në muajin nëntor të vitit 2018 nga ministri Pal Lekaj.
Për këtë pozitë kanë aplikuar dhjetë kandidatë, por ka disa javë që në listën e ngushtë janë përfshirë katër persona dhe procesi nuk ka lëvizur më.
Argjend Zenaj, këshilltar politik i ministrit Pal Lekaj, ka thënë se ende është në proces të rekrutimit konkursi për sekretar, në momentin kurdo të përfundojë seleksionimin nga ana e komisionit do të propozohen emrat për qeveri dhe do të merret vendim nga ana e Qeverisë.
Zemaj ka treguar se pse ky procese po gjatë kaq shumë, por nuk ka dhënë datë se kur do të përfundojë.
“Janë procedurat, ka qenë konkursi një kohë, pastaj derisa është formuar komisioni dhe tutje, tani renditja dhe intervistimi, dhe kështu, është procedurë për ZKA, jo për zyrtarë të thjesht. Prandaj procesi kërkon pak kohe”, tha Zemaj për lajmi.net.
Në listën që e posedon lajmi.net, shihet se kanë garuar 10 persona: 1. Arbër Krasniqi – Prishtinë, 2. Eset Berisha – Prishtinë, 3. Sejdë Tolaj – Deçan, 4. Qamil Feka – Vushtrri, 5. Naser Krasniqi – Pejë, 6. Nebih Shatri – Istog, 7. Betim Reçica – Prishtinë, 8. Hasim Krasniqi – Fushë Kosovë, 9. Sinisa Zabunoviq – Prizren, 10. Arsim Tërnava – Fushë Kosovë.
Lajmi.net ka mësuar se në listën e ngushtë për intervistim janë përfshirë: Betim Reçica, Nebih Shatri, Hasim Krasniqi dhe Qamil Feka.
Në nëntor të vitit të kaluar, Pal Lekaj e kishte zëvendësuar Ushtruesin e Detyrës së Sekretarit, Nebih Shatri i cili është i krahut të PDK-së me Betim Reçicën, ish zyrtarë i prokurimit.
Edhe pse, sipas Ligjit për Shërbimin Civil, një ushtrues detyre mund të jetë në atë pozitë vetëm 3 muaj, ish-sekretari tashmë i zëvendësuar, Nebih Shatri, ka qëndruar Ushtrues Detyre për afër 2 vite, që nga shkurti i vitit 2017.
Ndërsa ministria e Infrastrukturës nuk kishte kërkuar asnjëherë nga ministria e Administratës Publike që të hapte konkurs për të zgjedhur Sekretarin e Përgjithshëm.
Pas emërimit të Betim Reçicës për Sekretar të Përgjithshëm, Nebi Shatri ishte ankuar në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës nën pretendimin se Reçica ishte emëruar kundërligjshëm për Ushtrues Detyre.
Ai pretendonte se ligji e përcakton qartë se në atë pozitë nuk mund të emërohej dikush që vinte nga pozita që e ushtronte Reçica, por duhet të ishte zyrtar i lartë, në këtë rast drejtor.
Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civili, i kishte dhënë të drejtë Shatrit. Por, Ministri Lekaj nuk e zbatoi atë vendim. Vendosi që ta dërgoi lëndën në Gjykatë, ani pse vendimi ishte i formës së prerë, që e obligonte ta pezullonte nga detyra Reçicën, dhe më pas të ankohej në Gjykatë.
Edhe Gjykata e ka konfirmuar vendimin e Këshillit, por as këtë vendim ministri Lekaj nuk e ka përfillur, duke vendosur të shpallë konkurs.
Nga ana tjetër, Shatri nuk ka dashur të flas, me arsyetimin se është pjesë e garës. Ndërkohë, Betim Reçica ka qenë i pakontaktueshëm.