Qindra qytetarë, mëngjesin e 28 nëntorit e kaluan në Prekaz për të bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, raporton Ekonomia Online.
Homazhe për të bërë në Prekaz, kishte ardhur edhe Mikele Svizzera, me prejardhje nga Zvicra. Në një prononcim për Ekonomia Online, Svizzera vlerësoi lartë luftën për liri të UÇK-së.
“Prej krejt Kosovës, vendi që më ka pëlqyer është Prekazi, më ka pëlqyer shumë edhe nderimi që u bëjnë njerëzit këtij vendi dhe paska shumë histori ky vend”.
“E di se çfarë ka ndodhur këtu në Kosovë, nga televizioni. Është hera e parë që jam në Kosovë dhe kam mbetur pa koment nga respekti që kam marr nga njerëzit. Nuk kam besuar për perspektivën këtu, për vendin që ka përparuar sepse nuk kam dëgjuar fjalë të mira, kam dëgjuar si një vend i prapambetur por qenka e kundërta”.
Për të bërë homazhe për festën e 28 Nëntorit, kishte ardhur edhe Bajram Binaku nga Peja, raporton EO.
“Kam ardhë sot këtu për ta nderuar heroin tonë të madh që e ka sakrifikuar të gjithë familjen e tij për lirinë e Kosovës, për këtë që e gëzojmë sot”.

