Zvicra bëhet me det

Prishtinë | 12 Sht 2020 | 13:53 | Nga Ekonomia Online

Hapja e tunelit Ceneri në pjesën italiane të Zvicrës plotëson shumë ëndrra. Nga viti 2021 udhëtimi me tren nga Zürichu në Milano do të shkurtohet nga 4 në 3 orë. Në vitet e ardhshme mund të bëhet realitet ëndrra që nga Zürichu në Gjenova në Mesdhe të shkosh me tren për rreth 5 orë. Për të “mposhtur” alpet në Zvicër është punuar 30 vjet. Në këtë projekt kanë derdhur djersët edhe shumë punëtorë shqiptarë.

Para një jave Zvicra ka hapur tunelin Ceneri. Ky projekt është i rëndësishëm jo vetëm për këtë vend, por për mbarë Europën perëndimore, sepse rrumbullakon vijën hekurudhore transeuropiane. Kësisoj, përmes kësaj vije hekurudhore nën alpe, Europa Perëndimore afrohet edhe më shumë me Mesdheun. Tuneli është i gjatë 15,4 kilometra dhe pjesë e NEAT-it, transversales së re hekurudhore alpine. Projekti NEAT ka kushtuar 22,8 miliardë franga zvicerane. Konsiderohet projekt shekullor helvetik.

Më 2016 është hapur tuneli bazik i Gotthardit (i gjatë 57,1 kilometra). Ky është tuneli më i gjatë hekurudhor në botë. Tuneli tjetër i quajtur Lötschberg (34,6 kilometra i gjatë, i hapur më 2007) përplotëson sistemin hekurudhor dhe mundëson transportimin e mallrave përmes hekurudhës nga Rotterdami i Holandës në Gjenovë të Italisë. Ndërtimi i tunelit Ceneri ka zgjatur 10 vjet. Hyrja nga pjesa veriore në tunel gjendet në Camorino. Tuneli depërton nëpër kodrat në jug të Vezia afër Luganos.

Përfundimisht shfrytëzimi i tunelit do të fillojë më 13 dhjetor 2020, së pari për mallra, pastaj për pasagjerë, me gjasë nga pranvera e vitit të ardhshëm. Tuneli Ceneri ka kushtuar 3,6 miliardë franga; nëpër të mund të kalojnë çdo ditë 170 trena mallrash dhe 180 trena pasagjerësh. Hekurudha e parë për të kaluar alpet u hap më 1882: në atë vit u inaugurua tuneli i Gotthardit, transmeton KOHA.

Qëllimi i tërë projektit është që transporti i kamionëve me mallra të zhvendoset nga rruga në hekurudhë dhe kështu të mbrohet ambienti. Udhëtimi me tren nga Zürichu në Milano do të shkurtohet nga 4 në 3 orë. Hekurudhat zvicerane SBB planifikojnë trena direkt për në Bolonjë dhe Gjenovë. Në vitet e ardhshme mund të bëhet realitet ëndrra që nga Zürichu të shkosh në det me tren për rreth 5 orë. Trenat mes Zürichut dhe Milanos do të ecin me shpejtësi deri në 250 kilometra në orë.

Për të realizuar projektin e NEAT-it në Zvicër është punuar 28 vjet. Në këtë projekt kanë derdhur djersët edhe shumë punëtorë shqiptarë.

Ndërsa zviceranët i kanë realizuar projektet e tuneleve me saktësinë e tyre të njohur, gjermanët, italianët dhe francezët kanë ende punë për të bërë. Mes Gjenovës dhe Tortonas është duke u ndërtuar një hekurudhë 53 kilometra e gjatë dhe me disa tunele. Pas shumë e shumë vonesave pritet të hapet në vitin 2023.

Gjermanët kanë premtuar se mes Baselit dhe Karlsruhes deri në vitin 2040 hekurudha do të jetë me 4 korsi. Duhet të modernizohet edhe hekurudha mes Zürichut dhe Stuttgartit. Edhe këtu zviceranët i kanë pritur gjatë gjermanët. Tani një hekurudhë alternative mund të kalojë nëpër Francë e Belgjikë.

Të ngjashme