Këshilltari i Kryeministrit Haradinaj, Jahja Lluka, Mbajtësi i Dosjes për çështjen e personave të zhdukur, i shoqëruar edhe nga Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Prenkë Gjetaj dhe udhëheqësi i Njësisë së KPQZh-së, Kushtrim Gara, kanë takuar përfaqësuesit e Ambasadës së Zvicrës, transmeton Ekonomia Online.
Zyra e kryeministrit ka njoftuar se takimi është organizuar me qëllim të diskutimit mbi zhvillimet e fundit në procesin e ndriçimit të fatit të personave të zhdukur dhe mundësisë për përshpejtim të zgjidhjeve të mundshme të kësaj problematike të ndjeshme jo vetëm për familjarët, por edhe për tërë shoqërinë.
“Jahja Lluka, duke falënderuar për përkrahjen e vazhdueshme të Ambasadës së Zvicrës në këtë proces, por edhe në përgjithësi për përkrahjen e madhe të shtetit dhe popullit zviceran për popullin dhe shtetin e Kosovës, njoftoi për angazhimin dhe përpjekjet e Qeverisë së Republikës së Kosovës që çështja e personave të zhdukur të trajtohet si çështje me prioritet të veçantë.
Po ashtu, njoftoi edhe për aktivitetet dhe takimet e realizuara me përfaqësuesit e institucioneve vendore dhe organizatave ndërkombëtare të angazhuara në këtë proces, me qëllim të një koordinimi me të mirë dhe adresimit të kërkesave dhe aktiviteteve që mund dhe duhet të realizohen në respektim të të drejtave të familjarëve të personave të zhdukur.
Përfaqësuesi i Ambasadës Zvicerane, Kuno Schlaefli, duke vlerësuar lartë qasjen e re dhe serioze të Qeverisë Haradinaj, ndaj procesit të ndriçimit të fatit të personave të zhdukur, e po ashtu edhe emërimin e Mbajtësit të Dosjes, shprehu respektin për punën dhe sfidat e këtij procesi, e në mënyrë të veçantë në këtë fazë ku është evidente rënia e gjetjeve dhe identifikimeve të reja”, thuhet në komunikatën për medie.
Kuno Schlaefli, duke shprehur edhe njëherë gatishmërinë e Ambasadës së Zvicrës për vazhdimin e përkrahjes së institucioneve kompetente të Kosovës në çështjen e personave të zhdukur, por edhe në çështjet tjera në procesin e ballafaqimit me të kaluarën, theksoi rëndësinë e vazhdimit me përpjekjet institucionale që familjet e viktimave të mësojnë sa më parë për fatin dhe vendndodhjen e familjarëve të tyre të zhdukur.
“Mbajtësi i Dosjes për çështjen e personave të zhdukur, Jahja Lluka, ritheksoi se institucionet kompetente do të vazhdojnë të jenë shembull për procedimin me prioritet të të gjitha rasteve dhe lokacioneve të mundshme të shënjuara brenda territorit të Republikës së Kosovës.
Jahja Lluka, po ashtu, gjatë diskutimit për disa raste konkrete, përfshirë edhe lokacionet tashmë të shënjuara në territorin e Serbisë, kërkoi përkrahjen e mëtejmë të Ambasadës së Zvicrës dhe në përgjithësi bashkësisë ndërkombëtare, në adresim të këtyre rasteve”, përfundon komunikata.