Zvicra largon të gjitha masat anti-Covid me këtë datë

Prishtinë | 02 Shk 2022 | 19:49 | Nga Ekonomia Online

Për shkak të numrit shumë të lartë të infeksioneve, karantina sipas qeverisë, është bërë tashmë më pak e rëndësishme për identifikimin e të prekurve

Duke filluar nga nesër, e enjte, Këshilli Federal do të heqë detyrimin për karantinë dhe atë për punë nga shtëpia.

Për shkak të numrit shumë të lartë të infeksioneve, karantina sipas qeverisë, është bërë tashmë më pak e rëndësishme për identifikimin e të prekurve, transmeton albinfo.ch.

Këshilli Federal ka vendosur të dërgojë kantoneve për konsultim dy propozime për hapje të mëtejme. Me variantin 1, praktikisht të gjitha masat do të bien poshtë, që nga 17 shkurti. Për shembull, do të bijë detyrimi për të mbajtur maskë ​​në transportin publik.

Varianti i dytë parashikon që hapja të bëhet gradualisht.

Në pjesën e parë, për shembull, do të binte detyrimi për të treguar certifikatën në restorantet, në pjesën e fundit, ndër të tjera, edhe detyrimi për të mbajtur maskë.

Në të njëjtën kohë me heqjen e masave, Këshilli Federal po dërgon për konsultim te kantonet përshtatje të mëtejshme të rregullave.

Veç tjerash bëhet fjalë për këto: Me rastin e hyrjes në vend, nuk do të duhet të zbatohen masat sanitare kufitare.

Hiqet detyrimi për kryerjen e analizave për personat që nuk janë vaksinuar dhe që nuk janë shëruar, si dhe hiqet detyrimi i mbledhjes së të dhënave të kontaktit me rastin e hyrjes në Zvicër.

Përveç kësaj, duhet të revokohen të ashtuquajturat certifikata zvicerane Covid, për turistët ose pas testeve të shpejta të antitrupave ose antigjenit.

Të ngjashme