Posta Zvicerane tani po teston shërbimin e shpërndarjes postare me anë të robotëve. Shërbimi zyrtar do të fillojë që në Shtator dhe do të funksionojë në një sipërfaqe rrethore me rreze 5 km.
“Roboti me 6 rrota do të shpërndajë paketa për disa muaj për të testuar nëse një shërbim i tillë është më i frytshëm se ai aktual,” thotë Claudia Pletscher, drejtuese e projektit.
“Objektivi kryesor gjatë testimeve të para do të jetë monitorimi dhe analizimi i reagimeve të këmbësorëve dhe konsumatorëve që do të përfitojnë nga ky shërbim. Nëse vlerësimi është pozitiv atëherë Posta Zvicerane do të vazhdojë të përdorë robotët si të punësuarit zyrtarë të ndërmarrjes”, thekson Pletscher.
Konsumatorët mund të zgjedhin vendin dhe kohën kur duan që paketa e tyre të shpërndahet. Roboti është programuar që të shmangë ose të ndalojë para këmbësorëve, kafshëve apo automjeteve.
Një GPS i instaluar e monitoron atë gjatë gjithë trajektores dhe kur roboti ndodhet para derës ku duhet të dorëzojë paketën një fjalëkalim i përcaktuar çkyç bagazhin e tij, transmeton krokodili.
Postieri metalik mund të punojë ditën dhe natën falë dritave LED që paralajmërojnë për prezencën e tij dhe e orientojnë të ‘shohë’ në hapësirën përreth. Kjo teknologji po testohet gjithashtu në Britaninë e Madhe dhe në Gjermani.
https://youtu.be/MEWfsVPqKi4