Ekspertët kanë paralajmëruar se sasia e borës në male dhe të reshurat e shiut në zonat e ulëta mund të lënë pasoja serioze për lumenjtë dhe liqenet në Zvicër këtë pranverë.
“Vërshimet e shumta janë të mundshme”, ka paralajmëruar kreu i kantonit të Bernit për sigurime pronësore, duke shtuar sa është tejet i shqetësuar me këtë situatë.
Kantonet zvicerane kështu duhet të ndërmarrin masa për të ulur nivelin e liqeneve në mënyrë që të mund të bëhet thithja e ujit që pritet të mblidhet nga shkrirja e të reshurave.
Kurse pronarëve të tokave në rrezik u është këshilluar që të zbrazin bodrumet dhe të pajisen me thasë me rërë.
Qëllimi është të shmanget situata e vitit 1999, ku pas një dimri me borë, të reshurat e mëdha bënë që lumenjtë dhe liqenet të dalin nga shtrati, duke shkaktuar dëme prej miliona frangash zvicerane.
Megjithatë mediat lokale zvicerane raportojnë se është ende herët për ta ditur nëse Zvicra do të përballet përsëri me vërshimet si në atë kohë.
Këtë javë është parashikuar shi në tokat e rrafshëta të Zvicrës, kurse në viset malore priten reshje të borës.