“Helvetikët” me shqiptarë do ta nisin sot fazën çerekfinale të Kampionatit Evropian. Zvicra nuk do të mundë të llogarisë në lojtarin kryesor, Granit Xhaka shkaku i kartonëve. Sidoqoftë, Xherdan Shaqiri me shokë synojnë ta eliminojnë Spanjën dhe ta prekin gjysmëfinalen për herë të parë në histori
Zvicra dhe Spanja do ta hapin sonte fazën çerekfinale të Kampionatit Evropian të futbollit. Zviceranët bënë sensacion në të tetën e finales duke e befasuar kampionen e botës, Franca. Andaj, “Helvetikët” do të mundohen ta vazhdojnë mrekullinë edhe në çerekfinale, duke e eliminuar Spanjën. Zvicra nuk do të mundë të llogarisë në lojtarin e saj kryesor, Granit Xhaka, i cili ka kartonë, shkruan Gazeta Express.
Sidoqoftë, Xherdan Shaqiri me shokë do të mundohen ta mbulojnë mungesën e Xhakës dhe ta prekin gjysmëfinalen. Në vend të Xhakës, trajneri Petkovic duket se do t’i besojë Zakarias, i cili do të luajë përkrah Freulerit. Për ta kompletuar repartin do të përkujdesen Widmer e Zuber. Ndërkaq, Elvedi, Akanji e Rodriguez do të merren me mbrojtjen e Sommer.
Në sulm nuk ndryshon asgjë, Embolo e Seferovic do të mbështeten nga Shaqiri. Kurse, shqiptari tjetër, Admir Mehmedi do të jetë në dispozicion nga bankina për ta ndihmuar në çdo rast ekipin. Nga ana tjetër, tek Spanja është konfirmuar portieri Unai Simon, përkundër gabimit drastik ndaj Kroacisë. Përpara tij do të jenë Azpilicueta, Eric Garcia e Laporte. Ndërkohë, Jordi Alba rikthehet në vend të Gaya.
E në mesfushë do të jenë Pedri e Koke, të ndihmuar nga Busquets. Trajneri Luis Enrique dëshiron të shkojë sigurt edhe në sulm. Alvaro Morata, përkundër kërcënimeve të fundit me vdekje, duket se është i paprekshëm. Kurse, atë do të mundohen ta ndihmojnë nga krahët, Sarabia e Ferran Torres. Gerard Moreno, të paktën për momentin, do ta nisë lojën nga bankina.