Zvogëlimi i numrit të nxënësve në shkollat e Gjilanit ka bërë që në disa shkolla të ketë tepricë mësimdhënësish.
Drejtori i Arsimit, Nazim Gagica, në një konferencë për shtyp, të mërkurën ka deklaruar se numri gjithnjë më i vogël i nxënësve në bankat shkollore është duke e diktuar edhe përcaktimin e paraleleve nëpër shkolla dhe planifikimin e normave për mësimdhënësit. Sipas tij, këto efekte tashmë kanë filluar edhe të ndihen.
“Një prej sfidave dhe rreziqeve që shohim është rënia e numrit të nxënësve. Këtë vit kemi 200 nxënës më pak, të cilët i janë nënshtruar testit të arritshmerisë dhe natyrisht kjo përcakton edhe numrin e paraleleve ashtu, siç përcakton edhe planifikimin e normave. Ky numër i cili po shënon rënie po vazhdon, kurse vitin e ardhëm do t’i kemi 100 nxënës më pak dhe kjo do të sjellë probleme tek mësimdhënësit. Në moment që bie numri i nxënësve atëherë ne kemi suficit të mësimdhënësve dhe deficit buxhetor. Gjithashtu ne kemi 2 shkolla private dhe nuk di se çfarë do të ndodhë mbas 4 vjetëve, dhe mund të hapen shkolla të tjera. Ne po bëjmë përpjekje të vazhdueshme që të mos e bëjmë të dhimbshme reduktimin e normave për mësimdhënësit”, ka thënë ai.