Zvogëlimi i Qeverisë, i pashmangshëm

Prishtinë | 21 Sht 2016 | 08:47 | Nga

Kryeministri Isa Mustafa, së bashku me partnerët e koalicionit (PDK), pritet të bëjë ri-formatim të Qeverisë, me ç’rast do ta zvogëlojë edhe numrin e ministrive.

Ndonëse nuk kanë saktësuar se kur pritet të nisë një gjë e tillë, përfaqësues të ekzekutivit kanë thënë se ri-formatimi patjetër do të ndodhë, madje një nxitëse në këtë drejtim do të jetë edhe posti vakant i ministrit të Integrimit.

Ndonëse njohësit e çështjeve politike në Kosovë kanë rekomanduar që Ministria e Integrimit Evropian të shkrihej në një dikaster të Ministrisë së Jashtme, kjo Ministri do të vazhdojë të funksionojë si e pavarur edhe më tutje.

PDK-ja e LDK-ja, të gatshme për ri-formatim

Për ri-formatimin e Qeverisë dhe strukturimin e saj janë pajtuar të dy partitë e mëdha të koalicionit, PDK-ja dhe LDK-ja.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Faton Abdullahu, ka thënë për “Zërin” se Qeveria do ta realizojë ri-formatimin, mirëpo nuk ka dhënë hollësi rreth Ministrisë së Integrimit Evropian, sado që ajo është pa ministër qe disa ditë.

“Ri-formatimi si synim nuk është përcaktuar se do të bëhet detyrimisht brenda një kohe të caktuar, por është pajtim i partnerëve të koalicionit se do të bëhet gjithsesi. Kjo edhe do të ndodhë”, ka deklaruar ai, duke mos saktësuar se kur pritet të ndërmerret një vendim i tillë.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme