Zvonko Veselinoviq nga Mitrovica e Veriut është dënuar me dy vjet burgim në një proces të rigjykimit të mbajtur në Gjykatën e Lartë në Pirot.
Ai është dënuar për shpërdorim të detyrës së personit përgjegjës, ndërsa nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq, është liruar nga përgjegjësia penale, ka raportuar Shërbimi për Ballkanin i Radios Evropa e Lirë.
Të dy të pandehurit tjerë, Goran Makragiq dhe Ivan Stamenoviq, gjithashtu janë dënuar me 2 vjet burgim. Aktgjykimi nuk është përfundimtar, sepse do të vendoset edhe nga Gjykata e Apelit në Nish.
Në procedurën e parë, para të njëjtës gjykatë, e cila është zhvilluar kundër tyre për pretendimet e nxjerrjes së paligjshme të zhavorrit në shkurt të vitit 2017, të katër të pandehurit ishin liruar. Por, më pas, Gjykata e Apelit në Nish ka urdhëruar rihapjen e procedurës.
Këtë herë, trupi gjykues, i kryesuar nga gjykatësi Bojan Antiq, ka sjellë një vendim tjetër duke akuzuar të tre personat, përfshirë edhe Zvonko Veselinoviqit, i cili konsiderohet i afërt me Partinë Progresive Serbe, dhe duke i dënuar me nga 2 vjet burgim.
Nga fajësia është liruar nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq, të cilin Policia e Kosovës e kërkon si të dyshuar për përfshirje në vrasjen e udhëheqësit të nismës “Liri, Demokraci, Drejtësi” Oliver Ivanoviç, një vit më parë në veri të Mitrovicës.
Duke shpjeguar aktgjykimin, gjyqtari Bojan Antiq ka thënë se gjykata ka analizuar provat dhe përmes votave ka vendosur për aktgjykimin.
“Ne jemi bazuar në provat, audio regjistrimet dhe trans-skriptet e bisedave dhe kemi arritur në përfundim që të pandehurit ishin personat përgjegjës”, ka thënë ai.
Gjykata ka konstatuar se Veselinoviq ka siguruar maunet, kamionët dhe makineritë e tjera, ndërkaq Stamenkoviq, kishte blerë arat dhe ishte përgjegjës për dokumentacionin, ndërkohë që e gjithë puna ka kaluar përmes kompanisë së Makragiqit.
“Ka mundësi që Radoiçiq ka marrë pjesë në ndarjen e parave me Veselinoviqin, por në aspektin operativ nuk ka marrë pjesë” ka shpjeguar gjykatësi Antiq.