Zyra Kombëtare e Auditimit njofton se ka përfunduar procesin e auditimit për pasqyrat financiare vjetore për vitin 2019.
Sipas ZKA-së, procesi ka qenë sfidues për shkak të ndikimit të pandemisë COVID-19.
“Zyra Kombëtare e Auditimit ka përfunduar Raportin Vjetor të Auditimit për pasqyrat vjetore financiare të Buxhetit të Kosovës për vitin 2019 dhe kështu është përmbyllur me sukses të plotë viti i auditimit. Përveç performancës financiare të Qeverisë, raportet tona kanë ofruar informata shtesë edhe për fushat tjera që kanë të bëjnë me afarizmin e ndërmarrjeve publike, performancën e shpenzimeve të fondeve publike (ekonomizimi, efektiviteti dhe efikasiteti), si dhe zbatimin e procesit të prokurimit e raportimit financiar”, thuhet në njoftimin e ZKA-së.
Gjatë vitit raportues, ZKA thotë se janë audituar 95 organizata buxhetore me një buxhet të përgjithshëm rreth 2.5 miliardë, 14 ndërmarrje publike kryesisht në fushën e telekomunikimit, furnizimit me ujë dhe trajtimit të mbeturinave, 13 auditime të performancës si dhe 9 projekte të financuara nga fondet e donatorëve.