Auditori i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës, Besnik Osmani, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët kanë zhvilluar një vizitë pune në selinë kryesore të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Suedisë, në Stokholm.
Gjatë kësaj vizite, e cila u zhvillua në kuadër të bashkëpunimit bilateral në mes të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Suedisë dhe të Kosovës, Auditori i Përgjithshëm, Osmani ka takuar Auditoren e Përgjithshme të Suedisë znj. Helena Lindberg, zëvendësauditorin e Përgjithshëm Magnus Lindell dhe zyrtarë të tjerë të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Suedisë, me të cilët ka biseduar për thellimin e bashkëpunimit bilateral në mes të dy institucioneve.
Osmani e ka uruar homologen e tij për marrjen e detyrës së re dhe e ka njoftuar me aktivitetet aktuale, sfidat organizative dhe orientimet strategjike të Zyrës Kombëtare të Auditimit. Ai e ka falënderuar Lindberg për përkrahjen që ka ofruar institucioni suprem i auditimit suedez për Zyrën Kombëtare të Auditimit dhe ka shprehur interesimin e tij për vazhdimin e bashkëpunimit bilateral.
Osmani ka theksuar veçanërisht përkrahjen që ka ofruar partneri suedez për përfshirjen e Zyrës Kombëtare të Auditimit në aktivitetet e institucioneve supreme të auditimit në nivelin regjional e ndërkombëtar që ka mundësuar pjesëmarrjen aktive të ZKA-së në ngjarjet më të rëndësishme globale në fushën e auditimit.
Drejtuesit e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Suedisë rikonfirmuan gatishmërinë për të ofruar përkrahjen e tyre për zhvillimin e mëtejshëm të kapaciteteve të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës si në sferën e auditimeve të rregullsisë dhe të performancës ashtu edhe në atë të planifikimit strategjik dhe të lidershipit.
Marrëveshja aktuale në mes të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës dhe Suedisë përfundon në qershor të këtij viti, ndërkohë që është në përgatitje marrëveshja e re tri vjeçare e bashkëpunimit bilateral e cila pritet të nënshkruhet në Prishtinë, në qershor 2017.