Shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian/ përfaqësuese e Posaçme e BE-së, Natalyia Apostolova, dhe shefat e misioneve të BE-së në Kosovë, nëpërmes një deklarate, kanë shprehur shqetësimin e tyre të vazhdueshëm lidhur me vendosjen e taksës 100% për mallrat nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.
“Siç është theksuar tashmë në shumë raste, kjo paraqet një shkelje të qartë të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA), është në kundërshtim me frymën e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe ndikon negativisht në bashkëpunimin rajonal”, thuhet në deklaratën për medie.
“BE-ja është donatori, investuesi dhe partneri tregtar më i madh i Kosovës. Barrierat tarifore dhe jotarifore në tregtinë e lirë, qofshin të imponuara nga Kosova apo ndonjë nga fqinjët e saj, pengojnë rrugën e rajonit drejt një ekonomie konkurruese të tregut dhe e bëjnë më pak tërheqës si vend për të investuar”.
“Vendosja e taksës ka ndikuar negativisht në procesin e Dialogut me Serbinë. Heqja e taksës do të mundësonte rifillimin të shpejtë të këtij Dialogu. Dialogu i suksesshëm që shpie në një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme do të kontribuojë në stabilitetin e Kosovës dhe të gjithë rajonit”, thekson deklarata.
“Jemi të vetëdijshëm se suksesi i Dialogut varet nga shmangja nga veprimet e padobishme nga të dyja palët dhe rikujtojmë se BE-ja i ka kërkuar të dy palëve të veprojnë në përputhje me këtë; në këtë frymë i bëjmë thirrje qeverisë së Kosovës që të artikulojë qartë hapat konkretë që do të ndërmarrë për të mundësuar pezullimin e tarifëa, ashtu që bashkëpunimi rajonal të mund të ecë përpara”.
Shefja e Zyrës së BE-së dhe shefat e shteteve anëtare të BE-së, që kanë misione në Kosovë, i bëjnë thirrje Qeverisë së Kosovës që të shqyrtojë seriozisht ofertën e Komisionit Evropian për të ndihmuar në heqjen e pengesave jotarifore me të cilat ballafaqohen eksportet e Kosovës në rajon.