Në emër të ish zëvendëskryeministrit të Kosovës, Bujar Bukoshi për vetëm 4 muaj janë paguar 1 mijë e 437 kafe nga kuleta e shtetit apo mesatarisht rreth 360 kafe në muaj.
Aty gjithashtu janë pirë edhe 504 pije të ftohta si CocaCola, Fanta e Schweppsa.
Për këta 4 muaj për kafe dhe pije tjera janë shpenzuar nga buxheti i shtetit 1 mijë e 346 euro të cilat janë paguar në emër të Bujar Bukoshit.
Për këto 4 muaj janë porositur 753 pijë të frutave të ndryshëm. Mesatarisht i bie 188 lëngje për një muaj.
KALLXO.com posedon faturat për muajt, mars, maj, qershor dhe shtator të 2011 dhe llogaritë janë bërë për këto muaj.
KALLXO.com ka nisur publikimin e faturave të shpenzimeve të Presidentit Hashim Thaçi në kohën kur ai ishte kryeministër i vendit.
Në dosjen prej qindra faturash të siguruar pasi BIRN ka paditur Zyrën e Kryeministrit në gjykatë, do publikohen fatura të shpenzimeve për 20 muaj qeverisje të Hashim Thaçit përfshirë këtu shpenzimet e zëvendëskryeministrave tjerë të asaj kohe: Bujar Bukoshi, Edita Tahiri, Hajredin Kuçi dhe Behgjet Pacolli.
Pjesë e faturave janë edhe shpenzimet e kryera nga këshilltarë e shefa të kabineteve e deri te bodigardët e qeveritarëve të lartë.
Në dosjen “Sa Han Shefi” e cila tashmë është aktive në KALLXO.com, çdo ditë do publikohen fatura të reja të shpenzimeve të shoqëruara me shkrime dhe dëshmi për shpenzimet.