Ndryshe nga tubimet që kryeministri Albin Kurti i mbajti me bashkatdhetarët në Gjermani para nisjes së Samitit të Berlinit, e të cilat u bënë publike përmes ueb faqes së Qeverisë, një takim i ngjashëm që ai e zhvilloi në Francë para nisjes së Forumit Ekonomik të Kosovës në Paris, nuk u përcoll me të njëjtën praktikë.
Zyra e Kryeministrit (ZKM) nuk ka dërguar komunikatë për media e as nuk ka postuar në ueb faqe tubimin që kreu i Vetëvendosjes e mbajti me bashkatdhetarë në Paris të Francës.
Për tubimet që u mbajtën në Berlin, Këln, Mynih e Shtutgart, ZKM përveç se kishte dërguar komunikatë për media përmes emaileve, ato i kishte publikuar edhe në ueb-faqen e saj.
Kurti në Paris kishte qëndruar për Forumin e parë Ekonomik i Kosovës në Paris, me përfaqësues të qeverisë, agjencive zhvillimore dhe kompanive franceze, nën organizimin e Zyrës së Kryeministrit.
Mu për këtë gjë, KALLXO.com më 16.10.2024 publikoi një shkrim në të cilin ndër të tjera njohësit e politikës kritikuan këtë qasje, pasiqë vlerësuan platformat zyrtare të shtetit nuk duhet të shfrytëzohen për promovim të aktiviteteve partiake.
Në shkrimin e medias në lidhje me këtë çështje, njohësit e politikës kishin dhënë anën e tyre se Zyra e Kryeministrit duhet të përdoret vetëm për lajme që kanë interes shtetëror, në lidhje me zhvillimet që kanë të bëjnë me kryeministrinë, e jo të përdoret për fushatë parazgjedhore.
Pas këtij shkrimi, pamjet nga tubimi i mbrëmjes së 17 tetorit në Paris të kryeministrit Kurti me bashkëatdhetarët janë publikuar vetëm në rrjetin social të Vetëvendosjes, ku shihet kreu i LVV-së duke iu drejtuar diasporës.
Vetë zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu kishte thënë se tubimet janë organizuar nga dega e Vetëvendosjes në Gjermani.
Në frymën e kësaj, sipas tij, thirrjes për ta mirëpritur Kurtin i janë përgjigjur bashkatdhetarë të shumtë shqiptarë, jo vetëm nga Kosova, e që jetojnë dhe veprojnë në Gjermani.
Ndërsa në një pyetje të radhës se pse nuk u dërgua komunikatë e as nuk u publikua asgjë në Zyrën e Kryeministrit për tubimin në Paris, Kryeziu nuk dha përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli.
Lëvizja Vetëvendosje ka llogari zyrtare të sajën në të cilën ka mundësi të publikojë përmbajtje nga tubimet e Kurtit. Gjithashtu, secila degë e Vetëvendosjes qoftë brenda qyteteve të Kosovës, e edhe në diasporë kanë llogari në rrjet për të arritur audiencën e saj.
Ndër të tjera, në shkrimin e mediumit ishte trajtuar mungesa e simboleve shtetërore në tubimet e kryeministrit Kurti.
Në tubimet e tij mbizotëronin vetëm simbole të Vetëvendosjes dhe flamuri kombëtar, por jo edhe ato të shtetësisë së Kosovës edhe pse “Ne si shtet, si republikë dhe si histori, ju jemi thellësisht mirënjohës” ishin disa nga fjalët me të cilin iu drejtua Albin Kurti mërgimtarëve të mbledhur në një tubim në Këln të Gjermanisë.
Tubimet e tilla po mbaheshin në prag të nisjes së Samitit të Berlinit, aty ku krahas liderëve tjerë të Ballkanit Perëndimor, Kurti e përfaqësonte Kosovën- si shtet.